Shkup, ceremoni solemne për Ditën e Flamurit


Me një ceremoni solemne u përkujtua në Shkup 28 Nëntori – Dita e Flamurit dhe e pavarësisë së Shqipërisë, nën kujdesin e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Në ceremoninë solemne të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ambasadorët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në vend, Fatos Reka dhe Gjergj Deda e të tjerë.

”Kohërat mund të ndryshojnë, kontekstet gjithashtu mund të ndryshojnë, por me rëndësi është themeli, shtyllat dhe urat mbi të cilat ndërtohet dhe orientohet ardhmëria e gjeneratave të reja që të vazhdojnë rrugëtimin dhe do të kenë përgjegjësinë dhe privilegjin të jenë qytetarë të barabartë me të drejta dhe obligime të njëjta në BE”, deklaroi Xhaferi.
”Të ndërtojmë ura bashkëpunimi, zhvillimi dhe përparimi. Na bashkon gjuha, kombi dhe flamuri!”, tha në fund të fjalimit të tij Xhaferi.

Ali Ahmeti theksoi se nga të gjithë kuvendet e mbajtura nga shqiptarët është dëshmuar se ne nuk jemi okupues apo zullumqarë për t’u rënë në qafë fqinjëve e popujve të tjerë
”Është një vërtetë e madhe që shqiptarët kanë luftuar për t’u bashkuar dhe çdokush që mundohet ta mohojë nuk e thotë të vërtetën dhe e fsheh atë, sepse të gjitha padrejtësisë nga konferencat goditë mbi shpatullat tona, bëheshin pazare për të kënaqur orekset e vendeve gllabëruese fqinje, por përpjekjet nuk u ndalën. Investimi për të qenë ne të lirë vërtetë pati qëllim të lartë, por liri e barazi pa gjak nuk ka. Mesazhe për paqe dhe stabilitet gati nga të gjitha periudhat e lëvizjeve të rëndësishme të shqiptarëve këto kanë qenë”, deklaroi Ahmeti.

Fatos Reka, ambasador i Republikës së Shqipërisë në vend, theksoi se kontributi i patriotëve tanë për Ditën e Flamurit mbetet i vlerësuar dhe nuk duhet harruar.
”Pas anëtarësimit edhe të Maqedonisë së Veriut në NATO, të dy vendet tona janë përfshirë fuqishëm në zbatimin e detyrave të shtëpisë, duke thelluar reformat në të gjithë sektorët, për të qenë të gatshëm në çeljen e negociatave të anëtarësimit për në Bashkimin Europian. Edhe kjo është një sfidë e madhe në të cilën faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut si gjithnjë ka ditur që të pozicionohet drejtë. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse kjo gjë të realizohet sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që edhe vendet tona Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të bëhen pjesë e familjes evropiane, duke bërë realitet ëndrrën e patriotëve e rilindësve tanë”, deklaroi Reka.

Baby Boo