SHGM kërkon zhbllokim të reformave mediatike në Kuvend

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë sot në konferencë për shtyp kërkoi që partia maqedonase opozitare OBRM-PDUKM, të mos e bllokojë sjelljen e ndryshimeve në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale.

Kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, tha se propozim-ligji ka marrë mbështetje të gjerë nga bashkësitë mediatike dhe ka kaluar ekspertizë ndërkombëtare nga OSBE dhe Këshilli i BE-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai tha se bllokimi i ndryshimeve OBRM-PDUKM tregon se preokupimi kryesor i deputetëve të opozitës nuk është fati i RTVM-së, por mbrojtja e ushtarëve partiak në Këshillin Programor të RTVM-së dhe Këshillin e Agjencisë për Mediat.

Selmani tha se me këto ndryshime largohet sistemi korruptiv për subvencionimin e prodhimeve vendore, ofron model të ri për zgjedhjen e organeve në RTVM dhe ulen dënimet dhe gjobat për mediat.