Ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, mund të gjykohet sërish për terrorizëm, në rast se Gjykata e Apelit i konsideron të bazuara pretendimet e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Organi i akuzës i është drejtuar shkallës së dytë me ankesë kundër vendimit të Gjykatës Themelore, e cila në mars të këtij viti e ka liruar Krasniqin nga të gjitha akuzat.
Bazuar në këtë ankesë, Prokuroria po kërkon që komplet rasti të kthehet në rigjykim.
Kërkesën e ka mbështetur, sipas saj, në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës ligjore, shkelje të ligjit penal, si dhe në vërtetim të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkruan Koha Ditore.
Mirëpo, me këto pretendime nuk është duke u pajtuar mbrojtja e Krasniqit.
Edhe ajo i është kundërpërgjigjur Prokurorisë në Apel, duke konsideruar se lirimi i tij ka qenë i drejtë dhe se çdo pretendim tjetër i Prokurorisë është i pabazuar.