SHBA-ja fajëson Shtetin Islamik për sulmet në Afganistan


Shtetet e Bashkuara fajësuan grupin ekstremist Shteti Islamik dhe jo talibanët, për sulmin në një spital të Afganistanit, nga i cili u vranë dy foshnja.

SHBA-ja i bëri thirrje qeverisë afgane të fillojë bisedimet e paqes me talibanët.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani urdhëroi ushtrinë që të ndërmarrë ofensivë kundër talibanëve, pas sulmit në spitalin e Kabulit dhe një shpërthimi në provincën Nangarhar që vrau shumë njerëz.

Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, fajësoi Shtetin Islamik për të dy sulmet, duke thënë se grupi po kërkon të nxisë një luftë sektare në stilin e Irakut në Afganistan.

“Në vend që të bien në grackën e ISIS-it dhe të vonojnë paqen ose të krijojnë pengesa, afganët duhet të bëhen bashkë për të shtypur këtë kërcënim dhe të ndjekin një mundësi historike paqeje” tha Khalilzad.

Një bashkëpunëtor i grupit militant të Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në Nangarhar, sipas Grupit të Inteligjencës SITE, që monitoron aktivitetin online të IS-it.
Talibanët mohuan përfshirjen në të dy sulmet, por qeveria afgane akuzoi grupin për nxitjen e një mjedisi në të cilin lulëzon terrorizmi.

Sulmet paraqesin një pengesë për planet e ngecura të SHBA-së për të arritur paqes në Afganistan.

Marrëveshja e nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe talibanët, më 29 shkurt, bën thirrje që qeveria afgane të lirojë 5,000 luftëtarë talibanë si një masë e ndërtimit të besimit, para se të fillojnë bisedimet zyrtare të paqes.

Baby Boo