ShBA-ja dhe Kina do të bisedojnë për situatën në Ukrainë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do ta dërgojë këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare në Romë për të biseduar me një zyrtar të lartë kinez, të hënën. Kjo derisa janë duke u shtuar shqetësimet se Kina mund të ndihmojë Rusinë t’iu shmanget ndëshkimeve nga sanksionet ekonomike.

Bisedimet mes këshilltarit të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, dhe këshilltarit të lartë kinez për politikën e jashtme, Yang Jiechi, do të përqendrohen në “përpjekjet për të menaxhuar konkurrencën midis dy vendeve tona dhe të diskutojnë për ndikimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës në sigurinë rajonale dhe globale”, tha Emily Horne nga Shtëpia e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë e ka akuzuar Pekinin për përhapjen e pretendimeve të rreme ruse se Ukraina po drejtonte laboratorë të armëve kimike dhe biologjike në bashkëpunim me SHBA-të.
Zyrtarët thanë se Kina po përpiqej të siguronte mbulim për një sulm të mundshëm me armë biologjike ose kimike ndaj ukrainasve nga ushtria ruse.

Akuzat goditëse për dezinformimin rus erdhën pasi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, pretendoi se ShBA-ja po i financonte laboratorët ukrainas të armëve kimike dhe biologjike.
Pretendimi rus u përsërit edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, i cili pretendoi se kishte 26 laboratorë biologjikë dhe objekte të ngjashme në “të cilat ShBA-ja ka kontroll absolut”, shkruan ABCNEËS, transmeton Klankosova.tv.

Baby Boo