SHBA I DHURON MAQEDONISË DY AUTOMJETE PËR ZBULIM TË MATERIALEVE BËRTHAMORE


Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka nënshkruar një memorandum për mirëkuptim me Departamentin Amerikan të Energjisë (DOE), që synon parandalimin e tregtisë ilegale të materialeve bërthamore dhe materialeve të tjera radioaktive, raporton Anadolu Agency (AA).

Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski dhe ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, të cilët deklaruan se gjatë muajit nëntor nga Administrata Kombëtare Amerikane e Sigurisë Bërthamore (NNSA) për shërbime të përshtatshme të rojes kufitare maqedonase do të dhurohen dy sisteme të lëvizshme për zbulim, përkatësisht dy automjete speciale me pajisje shtesë bashkëkohore, me vlerë prej rreth 550 mijë dollarë amerikan.

Sipas ministrit Spasovski, ky memorandum paraqet një kornizë të re normative për intensifikimin e bashkëpunimit të deritanishëm të përbashkët dhe të frytshëm në aspektin e kontrollit të eksportit dhe sigurisë kufitare.

“Memorandumi hap mundësi konkrete për ekspertët, përkatësisht trajnimin e ekspertëve zyrtarë në fushën e tregtisë ilegale të materialeve bërthamore ose të materialeve të tjera radioaktive, që do të thotë nxitje shtesë për rritjen e nivelit të mbrojtjes si në kuadrin kombëtar ashtu edhe në atë rajonal dhe ndërkombëtar”, deklaroi Spasovski.

Ndërkaq, ambasadori Baily theksoi se memorandumi synon bashkëpunimin teknik, përkatësisht instalimin e sistemeve të reja dhe përmirësimin e sistemeve ekzistuese të vendkalimeve kufitare dhe lokacioneve të tjera në Maqedoni.

“SHBA-të janë të përkushtuar të punojnë me Maqedoninë për të forcuar kufijtë e saj. Kufijtë e fortë e lehtësojnë kalimin e udhëtarëve legjitim, parandalojnë krimin dhe korrupsionin si dhe na mbrojnë nga ata që duan të na bëjnë dëm”, u shpreh ambasadori Baily.

Baby Boo