SHBA dhe BE të reagojë, Kosova urgjent në NATO/ Kërkohet përjashtimi i Serbisë


Serbia ka mbajtur një qëndrim të dyfishtë për luftën që po zhvillohet në Ukrainë. Shteti serb nuk ka pranuar që t’i bashkohet perëndimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por që Serbia i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës dhe se e konsideron të gabuar shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

“Serbia respekton normat e së drejtës ndërkombëtare, por Serbia gjithashtu i kupton mirë nevojat e saj dhe pavarësisht se çfarë do të donte dikush, Serbia ka interesat e saj jetike kombëtare dhe shtetërore. Ajo respekton miqësitë tradicionale. Në ditët e mëparshme u përpoqëm dhe arritëm të mbajmë një qëndrim të unifikuar për çështjen e krizës në Ukrainë, për çështjen e veprimeve tona, reagimin tonë dhe të gjitha veprimet që organet tona shtetërore duhet të ndërmarrin në periudhën e ardhshme”, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

E doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, thotë se interesat e Serbisë janë bashkë me Rusinë.

Ata përfundimisht kanë treguar që asnjëherë nuk kanë qenë pro-perëndimor dhe se asnjëherë nuk kanë përkrahur agjendat e BE-së”, thotë Kuçi.

Pas qëndrimit serb, Kuçi kërkon nga SHBA dhe BE përjashtimin e Serbisë nga agjenda për anëtarësim në BE. Ai thotë se Kosova urgjentisht duhet të bëhet pjesë e NATO-s.

“Deklaratat e Vuçiqit dhe Daçiqit janë pasqyra më e mirë që ka një strategji pan-sllaviste në Evropë e cila synon të pushtojë sa më shumë territore në Ballkan dhe Evropë dhe e njëjta strategji po ndihmohet edhe nga Kina. SHBA-ja dhe BE-ja duhet të reagojnë ndaj këtij qëndrimi të Serbisë duke e larguar nga agjenda për anëtarësim në BE dhe të bëhet një anëtarësim sa më i shpejtë apo i menjëhershëm i Kosovës në NATO”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Më tej, Kuçi deklaron se Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë se aleat i vetëm në Ballkan janë shqiptarët.

“BE-ja duhet ta kuptoj se çfarë synimeve ka pasur Serbia nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe një herë e mirë të heq dorë nga presioni ndaj shqiptarëve si të vetmit aleatë të vërtetë të Perëndimit në Ballkan”, thekson Kuçi.

“Janë shqiptarët si komponent etnik, historik dhe territorial që po e ndalojnë pan-sllavizimin të bëhet një fuqi e rrezikshme për perëndimin dhe janë shqiptarët të cilët duke qëndruar aleat besnik ndaj Perëndimit, këta të fundit kanë një vend të sigurt për të mbrojtur gjeopolitikën e tyre dhe popullin shqiptar. Pra, interesat janë reciproke”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

Baby Boo