Shaqiri: “Zhelina me objekt të ri shkollor, MASH investoi 4,5 milionë denarë”

Nxënësit e Shkollës Fillore Rajonale “Luigj Gurakuqi” në fshatin Leshnicë e Poshtme në komunën e Zhelinës, nga sot mësimin do ta ndjekin në objektin e ri modern shkollor i cili ishte pjesë e planit investues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, për të cilin janë ndarë rreth 4,5 milionë denarë.

“Me këtë investim edhe një herë dëshmuam se Ministria e Arsimit dhe Shkencës kujdeset për të gjithë nxënësit në vend, pavarësisht nëse bëhet fjalë për mjedis urban apo rural. Të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit meritojnë proces arsimor bashkëkohor, i cili nënkupton jo vetëm përmirësimin e planeve dhe programeve mësimore por edhe përmirësimin e kushteve në të cilat zhvillohet mësimi”, ka deklaruar ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Sipas propozim-buxhetit për vitin 2023, është paraparë edhe ndërtimi i objekteve të reja për Universitetin “Nënë Tereza”, SHMK “Sami Frashëri” në Kumanovë, si dhe përfundimi i objekteve tashmë të filluara të Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike dhe Fakultetit të Kulturës Fizike.

Janë paraparë mjete për rikonstruksionin dhe rinovimin e të gjitha konvikteve të studentëve në vend si dhe rehabilitimin e objekteve ekzistuese të 118 shkollave fillore dhe të mesme.