Shaqiri: Riorganizimi i administratës shtetërore, prioritet i yni


Ministri për Shoqëri informatike dhe administratë, Jeton Shaqiri, sot mori pjesë dhe iu drejtua me fjalimin e tij hyrës grupeve të punës në seminarin për Riorganizim të administratës shtetërore dhe menaxhim të ndryshimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe seminarin për Efiçencën e institucioneve publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Pjesëmarrës në këto dy seminare ishin përfaqësues nga të gjitha ministritë dhe ekspertë të huaj dhe vendas të angazhuar në këtë projekt të rëndësishëm.

“Jemi të vendosur që këtë projekt ta çojmë para, të optimizojmë kornizën e përgjithshme institucionale, të përmirësojmë ofrimin e shërbimeve publike, për të forcuar etikën, integritetin, transparencën dhe llogaridhënien e administratës shtetërore, duke zbatuar analizën funksionale dhe duke miratuar një ligj të ri për organizim të organeve të administratës shtetërore” theksoi ministri Shaqiri.
Gjatë takimit ministri përmendi se pa riorganizim të organeve të administratës shtetërore dhe eliminimin e mbivendosjes së kompetencave nuk mund të ketë reformë reale të administratës shtetërore.

“Përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të orientuara kah integrimi i vendit në Bashkimin Evropian, dhe kjo varet nga aftësia e administratës publike për të transpozuar legjislacionin Evropian dhe për të siguruar zbatimin e duhur” tha ministri Shaqiri.
Në fund të fjalimit ministri theksoi se implementimi i rekomandimeve është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm për vetë procesin, por edhe për transformimet e ardhshme në institucione.

Baby Boo