Serbia këmbëngul në ekstradimin e ish ushtarit të UÇK-së, Tomor Morina


Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha se nuk mund të besojë se Maqedonia e Veriut nuk do ta ekstradojë Tomor Morinën në Beograd, pasi kjo sipas tij do të përbënte mos-respektim të ligjit ndërkombëtar. Për Stefanoviqin, deklarata e kryeministrit Zaev, se do të veprohet në pajtim me ligjin, lë të nënkuptohet se Morina do të ekstradohet në Serbi.

Të gjitha vendet që janë pjesë e Interpolit duhet të respektojnë rregullat ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut, duhet që në bazë të urdhrit dhe dokumenteve të ofruara nga Serbia, ta ekstradojë Morinën. Kryeministri i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev ka thënë se ata do të respektojnë ligjin ndërkombëtar, dhe kjo do të thotë ekstradim te autoritetet serbe. Nëse kjo nuk ndodh, ne do të shohim se çfarë do të bëjmë më tej, unë nuk dua të paragjykoj – tha Stefanoviq.

Autoritetet në Kosovë ndërkaq kundërshtojnë ashpër arrestimin e Morinës në Maqedoni, e aq më shumë ekstradimin në Serbi. Ministri i Drejtësisë në Kosovë Abelard Tahiri arrestimin e Morinës me kërkesë të Serbisë e quajti shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe mospërfillje të Konventave ndërkombëtare. Kosova kërkon lirimin e menjëhershëm të Morinës. Nga Gjykata kompetente në Maqedoninë e Veriut nuk japin informata se kur do të marrin vendim lidhur me kërkesën e avokatit mbrojtës që Morina të mbrohet në liri, deri në shqyrtimin e kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij. Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska një ditë më parë tha se gjykatat janë ato që duhet të vendosin dhe se kërkesa nga shteti serb për ekstradimin e Morinës ende nuk ka arritur. Morina për më shumë se një javë po qëndron në paraburgim, ndërsa u arrestua të mërkurën e kaluar nga policia, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Morina ka shtetësi të dyfishtë, të Britanisë së Madhe dhe të Kosovës. Ai deri tani kishte lëvizur pa asnjë problem në të gjitha shtetet evropiane.

Baby Boo