Serbi/ Nxënësi që vrau 9 persona nuk mban përgjegjësi penale, babai e stërviti në poligon qitjeje


Policia serbe ka arrestuar babain e djalit që ka vrarë 9 persona në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Vraçar.

Babai i 13-vjeçarit me inicialet K.K pretendon se armën pistoletë e kishte mbyllur në një kasafortë me kod, por djali i tij e dinte kodin e kësaj kasaforte dhe sot shkaktoi një tragjedi në shkollë. 13-vjeçari thuhet se ka shkuar në poligonin e qitjes me babain e tij dhe aty ai e ka mësuar se si të përdorë armën.

Autoritetet kanë mundur të zbulojnë se nxënësi 13-vjeçar kishte një muaj që e kishte përgatitur sulmin pasi në shtëpi kishte një listë me emrat e nxënësve që do vriste. Ata thonë se nxënësi i klasës së VII të shkollës fillore “Vladislav Ribnikar” nuk është penalisht përgjegjës për ngjarjen e rëndë pasi nuk është 14-vjeç.

Me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, babait të këtij djali, 48-vjeçarit me inciale V.K i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën e rëndë kundër Sigurisë së Përgjithshme. Është urdhëruar që nxënësit 13-vjeçar t’i merret gjak për analiza toksikologjike, për të vërtetuar nëse në momentin e kryerjes së krimit ka qenë nën efektin e alkoolit, narkotikëve apo substancave të tjera.

Nga të shtënat që ndodhën mëngjesin e sotëm, mbetën të vrarë nëntë persona, mes tyre tetë nxënës (7 vajza dhe 1 djalë) dhe një roje sigurie. Gjithsej shtatë persona janë lënduar, mes tyre gjashtë nxënës dhe një mësues, të cilët janë transferuar në Qendrën Emergjente dhe në Tiršova.

Baby Boo