Seancë kuvendore për zgjedhje të Qeverisë së re të mandatarit Zoran Zaev do të mbahet…


Në Kuvend sot fillon seanca për zgjedhjen e qeverisë së re, të propozuar nga mandatari Zoran Zaev. Pasi deputetët do ta shqyrtojnë dhe debatojnë përbërjen e Qeverisë së njëmbëdhjetë, ajo duhet të votohet më së voni deri nesër në mesnatë.
Për zgjedhjen e qeverisë nevojitet shumicë e thjeshtë, gjegjësisht 61 vota, ndërsa koalicioni qeveritar i LSDM-së dhe partive të tjera të koalicionit “Mundemi”, BDI dhe PDSH, në Kuvend ka shumicë parlamentare prej 62 deputetëve.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE paralajmëroi se do të marrë pjesë në debatin e seancës kuvendore për zgjedhjen e Qeverisë së re dhe siç paralajmëroi zëdhënësi i partisë Dimçe Arsovski do të votojë “kundër”.
Numri i vendeve të ministrave në qeverinë e re është ulur për shtatë dhe tani do të numërojë 19 ministra dhe kryeministrin.

Programin dhe propozim-përbërjen e Qeverisë së re, mandatari Zoran Zaev në kuvend i dorëzoi të mërkurën. Krahas Zaevit si kryeministër, anëtarë të Qeverisë do të jenë Ljupço Nikollovski si zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit, Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministër për ekonomi, Nikolla DImitrov – zëvendëskryeministër për çështje evropiane, Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska – ministre e Mbrojtjes, Bojan Mariçiq – ministër i Drejtësisë, Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë, Milla Carovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës, Jagoda Shahpaska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale dhe Irena Stefoska – ministre e Kulturës.

Disa nga prioritetet e Qeverisë së re, siç kumtoi mandatari janë, transformimi i ekonomisë për rritje të përshpejtuar dhe standard më të lartë, investimi në shëndetësinë publike, ulje e shkallës së varfërisë nën 16 për qind me theks të posaçëm në varfërinë e fëmijëve, vendosje e policisë komunale nën ingerenca të pushtetit lokal.
Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do ta udhëheqë Arianit Hoxha nga BESA, partner parazgjedhor i koalicionit me LSDM-në, ndërsa Goran Milevski nga PLD do të jetë ministër i Vetëqeverisjes Lokale edhe në Qeverinë e re.

Artan Grubi nga BDI do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për sistem politik, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi mbetet ministër i Ekonomisë ndërsa Naser Nuredini ministër i Mjedisit Jetësor. Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës është propozuar Jeton Shaqiri.

Baby Boo