Sakrifikimi i policëve për “lojërat” e shefave


Nga: Drilon Rahimi

“Është shokuese hetimi i policëve që morën pjesë në arrestimin e Marko Gjuriq, pas kërkesës së një njeriu si Milan Radojeviq. Është fakt që çdokush ka drejtë të kërkojë llogari për policinë nëse mendon se ata kanë shkelur rregulla. Sipas mendimit tim, Policia e Kosovës e ka kryer punën atë ditë në mënyrë profesionale, të paktën bazohem në ato pamje që janë shfaqur në ekrane, e ato çfarë kanë ndodhur prapa kamerave nuk mund të them asgjë”- potencoi eksperti i sigurisë Avni Islami.

Policëve që morën pjesë në aksionin e arrestimit të Marko Gjuriqit, po u luhet një “lojë pas shpine”.

Nëse këta policë sakrifikohen për “lojën” e Thaçit dhe Vuçiqit për një spektakël në Prishtinë, atëherë kjo do të ishte gjëja më e ultë që mund ta bëjë një president për vendin e tij. Të paktën, nëse në të ardhmen konfirmohet se arrestimi ishte i planifikuar deri në detaje. Këto dyshime, vijnë pasi Inspektorati Policorë i Kosovës, mori vendim për hetimin e policëve që arrestuan shefin e së ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq.

Inspektoriati konfirmon hetimin

Inspektorati Policor ka konfirmuar hetimin e policëve që arrestuan Marko Gjuriqin. Hetimi nisi, pas kërkesës së që zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, Millan Radojeviq.

Ai kërkoi nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, që të hetohen të gjithë policët e Njësisë Speciale të Kosovës, që morën pjesë në aksionin për arrestimin e Marko Gjuriqit.

“Në lidhje me rastin e arrestimit të z. Marko Gjuriq, IPK respektivisht Departamenti i Hetimeve ka filluar me mbledhjen dhe grumbullimin e informacioneve në lidhje me dyshimet për shkelje eventuale nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës”- thuhet në komunikatë.

Më 26 mars, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq kishte hyrë në Kosovë pa leje, për çka reaguan menjëherë institucionet e vendit duke e arrestuar atë.

Për dallim nga  Radojeviq, mendim ndryshe ka zëvendësministri tjetër i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka. Ai ka thënë se Policia e Kosovës atë ditë ka kryer një aksion profesional dhe konform ligjeve të Kosovës.

Islami e quan shokues vendimin për hetimin e policëve

Image

Avni Islami

Lidhur me këtë, profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, thotë për “Bota sot” se Policia e Kosovës e ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe nuk beson se do të ndërmerren masa për policët që janë të përfshirë në aksionin e arrestimit të Marko Gjuriq.

Ndër tjera, ai thotë se është shokues hetimi i policëve që morën pjesë në arrestimin e Marko Gjuriq, pas kërkesës së një njeriu si Milan Radojeviq.

“Është shokuese hetimi i policëve që morën pjesë në arrestimin e Marko Gjuriq, pas kërkesës së një njeriu si Milan Radojeviq. Është fakt që çdokush ka drejtë të kërkojë llogari për policinë nëse mendon se ata kanë shkelur rregulla. Sipas mendimit tim, Policia e Kosovës e ka kryer punën atë ditë në mënyrë profesionale, të paktën bazohem në ato pamje që janë shfaqur në ekrane, e ato çfarë kanë ndodhur prapa kamerave nuk mund të them asgjë. Edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës e ka kryer punën sipas ligjeve dhe rendeve kushtetuese, kështu që nuk besoj se do ndërmerren masa për policët që janë të përfshirë në aksionin e arrestimit të Marko Gjuriq”- potencoi Avni Islami për “Bota sot”.

Edhe eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ngjallë dyshime për këtë çështje, duke thënë për “Bota sot” se në ato ditë pas arrestimit, policia u vlerësua maksimalisht nga institucionet, ndërsa tash nëse bëhet hetimi i policisë, kush duhet të merr përgjegjësi pasi që i pari i PK-së në atë kohë, Shpend Maxhuni, ka kaluar si shef i AKI-së.

“Tani pas një kohe që u krye arrestimi i Marko Gjuriqit, e sidomos kur ka kaluar shumë kohë nga ajo ndodhi, e kur ka filluar të harrohet për këtë intervenim të policisë, është pak sa për tu habitur e sidomos kur u vlerësua nga institucionet përkatëse në atë kohe, se krejt intervenimi ka qenë në suaza të kompetencave te policisë. Bëhet pyetja sikur tani të vlerësohet se ka pasur tejkalim të kompetencave të policisë në këtë intervenim ndaj Marko Gjuriqit, kush duhet të jap përgjegjësi kur dihet më që drejtori i policisë të atij intervenimi tani është emëruar drejtor i AKI-së. A mos po i përngjan arsyes se tani pas këtij hulumtimi dikush qëllimisht duhet të “digjet”!”- theksoi Tërnava.

Image

Hajrullah Tërnava

Tërnava: Përgjegjës edhe ish drejtori Shpend Maxhuni

Ai thotë, se nëse ka pasur tejkalim të kompetencave, duhet te ndërmerren masat ligjore ndaj të parit që është ish drejtori i policisë që tani gjendet në postin e ri të AKI-së, ndërsa sipas tij, mënyra më e mirë ligjore do të ishte që policia të hetohet menjëherë pas arrestimit, nëse do kishte dyshime se kanë shkelur kompetencat.

“E qartë është se nëse ka pasur tejkalim të kompetencave, ndaj të parit që duhet të ndërmerren masat ligjore, është ish drejtori i policisë që tani gjendet në postin e ri. Sikur këto iniciativa te ishin të menjëhershme pas atij intervenimi, kishte me qenë e kuptueshme dhe në përputhshmëri me ligjin, por të kaloj kjo kohë aq e gjatë nuk po i përngjan realitetit dhe të vërtetës dhe krijon dyshim se në këtë rast diçka po manipulohet. Në kushtet normale në çdo situata të ngjashme të intervenimeve nga ana e policisë, është krejt e kuptueshme dhe normale që të hulumtohen këto intervenime se a ishin në përputhshmëri me ligjin, dhe raporti i atyre që i kanë udhëhequr hulumtimet dalin si vlerësime ligjore që çështjes në fjalë ti qitet pika, apo nëse ka pas tejkalim te kompetencave, të iniciohen masat ligjore ndaj atyre që i kanë tejkaluar ato kompetenca. Sikur të veprohej në këtë mënyrë sikur që shpjegova, atëherë çdo gjë do të ishte në përputhshmëri me ligjin”-tha Tërnava për “Bota sot”.

Shala: Aksioni duhet të trajtohet në dy drejtime

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thotë për “Bota sot” se arrestimi i Marko Gjuriq duhet të trajtohet në dy drejtime, atë policor dhe atë politik, duke theksuar se në aspektin policor, nuk ka pasur shkelje të autorizimit të policisë, pasi sipas Shalës, ata kanë kryer punën në hierarkinë kushtetuese.

“ Në lidhje me aksionin policor që ndërlidhet me arrestimin e Marko Gjuriq duhet të trajtohet në dy drejtime: atë Policor dhe atë Politik.
Në aspektin e veprimtarisë policore nga parapërgatitje për operacion dhe deri të dëbimi (shoqërimin) e tij nga Kosova nuk ka pasur shkelje të autorizimit policorë nga njësit speciale të cilët ishin pjesë aktive të operacionit ( NJSRO,NJSO dhe FITNJSI ), sepse pas çdo plani operativ në kuadër të njësive që marrin pjesë në operacion bëjnë analizë të veprimeve të tyre dhe nëse shihet që kapitur tejkalim të autorizimeve policorë atëherë veprojnë menjëherë duke njoftuar hierarkinë komanduese dhe më pastaj njësia e standardeve profesionale vepron mbi ato të gjetura që kanë rezultuar nga analiza në kuadër të njësive dhe nëse dëshmohet dhe vërtetohet shkelja më pastaj njësia e standardeve profesionale bën rekomandim për masën disiplinore apo edhe për vazhdim të hetimeve nëse vërehet elemente të veprës penale e ku më pastaj kjo lëndë i kalohet IPK-së”-tha Shala.

Baby Boo