Ruskoska pajtohet për lirimin e Mijallkovit


Prokuroria e Villma Ruskovskës dha dritë jeshile që Sasho Mijalkov të lirohet nga paraburgimi. Ish-drejtori i policisë sekrete ka dhënë mbi 10 milion euro garanci që qelinë në Shutkë të zëvendësojë me masë më të butë. Prokuroria vlerëson se shuma e garancisë së ofruar është e mjaftueshme që ai të mos arratiset. Mijalkov u arrestua pikërisht për shkak të rrezikut nga arratisja dhe për shkak të fuqisë së tij financiare.

Mijalkov në paraburgim është që nga 26 shkurti, kur u dënua me 12 vjet burg në rastin Target-Fortresa, e cila ka të bëjë me përgjimet e paligjshme me dekada. Ai pastaj mori një dënim të ri prej 8 vjetësh për rastin “Thesari” për blerjen e pajisjeve të përgjimit për policinë sekrete derisa ishte drejtor i DSK-së. Prokuroria atëherë kërkoi paraburgim edhe për atë rast dhe më 13 prill, Mijalkovit iu caktua paraburgim për rastin “Thesari”.

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsionin tha se dy herë kishte dhënë mendim negativ për ish-drejtorin e DSK-së të lirohet nga paraburgimi. E treta është pozitive dhe i hap rrugën që ai më në fund të dalë nga Shutka. Sipas informatave, garancia e Mijallkovit është rritur pas çdo mendimi negativ derisa shuma arriti mbi 10 milion euro. Mijalkov ankesë për paraburgimin dërgoi edhe në Gjykatën e Apelit, por pasi Prokuroria e Lartë refuzoi të jepte mendim pozitiv, avokatët e Mijallkovit tërhoqën ankesën para gjykatësve të apelit. Rastin “Thesari” në Gjykatë e përfaqësoi ish-prokurori special Artan Ajro, i cili tani është ngritur në detyrë në prokurorinë për krime të organizuara. Nga Gjykata Penale thonë se vendim për garancinë e Mijalkovit do të merret nesër ose pasnesër. Ndryshe, Sasho Mijalkov është në pritje të vendimit edhe për arrestimin brutal të Ljube Boskovskit, ndërsa derisa është në paraburgim, ndaj tij është hapur edhe një hetim i ri për rastin “Parcelat në Vodno” ku ai akuzohet se ka ndihmuar Nikolla Gruevskin të blejë parcela prej 11 mijë metra katrorë në Vodno.

Baby Boo