Rruga industriale në Tetovë, mbyllet hyrja e pasme e shkollës “Kirili dhe Metodij”


Një ditë pas protestës së qytetarëve, Komuna e Tetovës ka urdhëruar drejtorinë e shkollës “Kirili dhe Metodij” që ta mbyll hyrjen e pasme të godinës që është nga rruga industriale. Qytetarët një ditë më parë i dhanë ultimatum komunës që të gjejë zgjidhje për rritjen e sigurisë në këtë rrugë ku çdo vit shënohen viktima si pasojë e vozitjes së shpejtë.

“Na u tha prej tyre që dy hyrjet pas duhet të mbyllen dhe ne brenda javës do veprojmë. Dy hyrjet që i kemi pas do i mbyllim gjithnjë në interes të fëmijëve, sepse prioritet e kemi sigurinë e fëmijëve. Prindërit ndoshta do reagojnë se do ju vjen larg hyrja kryesore që është kah xhamia, por duhet ta kuptojnë se më mirë është më larg dhe sigurt”, tha Sihana Kaba, drejtoreshë e Sh.F. “Kirili e Metodij”.

Nga Komuna e Tetovës ditë më parë u zotuan po ashtu se do të bëjnë kërkesë në polici për ndërtimin e mbikalimit, por edhe vendosjen e pengesave të shpejtësisë në këtë rrugë, por, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, thonë nga SPB Tetovë.

“…me komunën jemi në bashkëpunim të ndërsjellë dhe në suaza të Ligjit dhe rregulloreve për komunikacionin rrugor besoj se do gjendet zgjidhje që do jetë pozitive për të gjitha palët. Sipas gjitha mundësive do mundohemi që derisa të gjendet një zgjidhje e veçantë lidhur me atë rrugë, SPB Tetovë do mundohet që të gjejë kolegë që do jenë prezent gjatë gjithë kohës në atë rrugë”, pohoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Komuna e Tetovës është zotuar vazhdimisht se do të gjejë zgjidhje për sigurinë në këtë rrugë, por tani thotë se kjo rrugë është magjistrale dhe është në kompetencat e “Rrugëve të Maqedonisë. Nga kjo ndërmarrje thanë se rruga mirëmbahet nga to por për sigurinë në komunikacion kompetente është Komuna e Tetovës.

Baby Boo