Rruga e Kombit, dy miliardë euro për vetëm 137 km autostradë!

Rruga e Kombit” shtrihet nëpër këndin më të varfër dhe më të largët në Evropë, ku shumë fshatarë ende jetojnë në kushte të vështira, duke luftuar që ta çojnë muajin deri në fund. Autostrada e gjatë 137 km me katër korsi që lidh kryeqytetet e Shqipërisë dhe Kosovës ka nxjerrë dy miliardë euro nga “portofolët” e të dyja vendeve – që u detyruan të devijojnë fondet nga shumë projekte të tjera shumë të nevojshme, si ndërtimi i shkollave, spitaleve dhe rrugëve të tjera më pak të kushtueshme, shumë prej të cilave mbetën të pashtruara. Pas një hulumtimi gjashtëmujor, BIRN-i publikon dokumentet e panxjerra nga Shqipëria dhe Kosova me detaje, të shkallës së keqmenaxhimit dhe kostove të rritura e të pandalshme, të cilat kanë nxitur deri më tash tri hetime për korrupsion, abuzim të detyrës dhe keqbërje të lidhura me kontratën. T ë ndërtuara mbi premisat e krijimit të pasurisë nga ngritja e tregtisë dhe turizmit, çmimi i fundit për rrugët së paku ishte dyfishuar në të dyja vendet nga çmimet fillestare të ofruara. Tregtia në mes Shqipërisë dhe Kosovës ka shënuar vetëm një rritje modeste prej se është hapur rruga vitin e kaluar, por nuk ka çuar në rreshtimin e kamionëve që zakonisht shihen në kufijtë e tjerë të Ballkanit. Ekspertët vlerësojnë se rruga po përdoret vetëm në 10 për qind të kapacitetit të saj. Në anën tjetër, kompania ndërtuese Bechtel- Enka përvetësoi profite me qindra miliona euro falë pjesërisht, sipas argumenteve të kritikëve, kontratës së majme në favor të tyre, çmimit të lartë dhe kthimit të taksave.

Baby Boo Tinex

Tenderi i shpejtë

Kontrata për të ndërtuar fazën e parë të autostradës për ta lidhur Tiranën me kufirin e Kosovës ishte dhënë më 2006 me procedura të shpejta të prokurimit, të cilat Banka Botërore dhe të tjerët i quajtën procedura jokonkurruese dhe të paligjshme. Gjiganti amerikan i ndërtimit “Bechtel” dhe partneri i tij turk “Enka” fituan kontratën për të ndërtuar pjesën prej 61 kilometrash për 418 milionë euro. A mbasada e ShBA-së ndihmoi në tejkalimin e shqetësimeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në lidhje me trajtimin e procesit tenderues në Shqipëri, duke arsyetuar se rruga do të zhvillojë ekonomitë si në Kosovë dhe Shqipëri. Në fund, kostot shkallëzuan në Tiranë duke u derdhur përfundimisht 950 milionë euro për rrugën, sipas një emaili të rrjedhur nga ministri i atëhershëm i Financave, Ridvan Bode. Kontrata për të ndërtuar pjesën e Kosovës i ishte dhënë në prill 2010 partneritetit të njëjtë, pas lobimit të ambasadorit të atëhershëm në Kosovë, Christopher Dell. Dell pastaj u punësua nga Bechtel si drejtor shteti në Afrikë, duke ngritur dyshime në mesin e vëzhguesve në lidhje me ndershmërinë e kontratës. Zëdhënësja e “Bechtel”-it fuqimisht mohoi ndonjë sjellje të pahijshme dhe insistoi se Dell ka respektuar rregullat e Departamentit të Shtetit të ShBA-së menjëherë pas afrimit të kompanisë ndaj tij me një ofertë potenciale për punë, pasi që ai përgatitej të largohej nga Kosova, duke përfshirë çdo tërheqje të tij nga çdo çështje që lidhej me kompaninë. Por një diplomat i lartë, Andrea Capussela, i caktuar për mbikëqyrjen e ekonomisë së Kosovës bëri thirrje Departamentit të Shtetit për të shqyrtuar përkrahjen e Dellit për skemën, duke marrë parasysh punën e re të ish-ambasadorit.

Nuk ka asnjë sugjerim që Dell nuk ka përfillur me rregullat e ShBA-së. Gjersa ekziston periudha prej një viti para se ish-ambasadorët mund të lobojnë në emër të qeverisë së ShBAsë në emër të një kompanie private, atyre nuk u ndalohet që të marrin një punë në sektorin privat ku ata ndihmuan për të siguruar një kontratë. Shpenzimet në Kosovë shkallëzuan po ashtu, pasi qeveria dështoi për të marrë parasysh këshilltarin e saj ligjor për të caktuar një çmim fiks për autostradën. Kostoja u ngrit nga 400 milionë euro për 102 km të autostradës në 838 milionë euro për 77 kilometra. Bechtel-Enka ka pranuar më shumë nga kuleta publike kosovare në vitet 2011, 2012 dhe 2013 se çdo ministri tjetër. Në të njëjtën kohë projektet e tjera infrastrukturore, duke përfshirë ndërtimin e disa shkollave mbetën për më vonë. BIRN-i ka marrë dokumente kyçe për ndjekjen penale të dështuar të Lulzim Bashës – politikanit shqiptar që nënshkroi marrëveshjen në Tiranë me akuzat për “shpërdorim detyre” në lidhje me kontratën. Në mesin e akuzave tjera, dokumentet zbulojnë se çmimet e Bechtel-Enka-s ishin më shumë se dyfishi i kontraktorëve vendorë, duke u kushtuar taksapaguesve shqiptarë para shtesë prej 191 milionë eurosh. Sipas dokumenteve të prokurorisë, “të gjitha çmimet e dorëzuara nga kompania fituese janë disa herë më të larta sesa çmimet shqiptare”. Shifrat ishin përpiluar nga dy auditorë të shtetit të cilët nxorën një raport me 158 faqe deri më tani të papublikuar, duke detajuar problemet me kontratën e autostradës. T ë gjeturat formuan bazën e rastit për hetim kundër Bashës dhe dy këshilltarëve të tij, Andi Tomës dhe Armand Telitit.

‘Asnjë kufi të çmimit, asnjë plan’

Ekipi i prokurorisë gjithashtu theksoi se kontrata ishte nënshkruar pa marrëveshje të kufizuara të çmimit ose të planit të detajuar të ndërtimit, duke lejuar që çmimi të rritet pandalshëm e jashtë kontrollit. Prokurorët po ashtu kritikojnë emërimin e kompanisë holandeze të konsultimit “Ecorys” që ka pasur për detyrë përzgjedhjen e ofertës fituese, duke thënë se është e “paligjshme” sepse aprovimi i kompanisë ishte lajmëruar para se Këshilli i Ministrave të aprovonte atë vendim. Procesi i shpejtë i tenderimit në të cilin katër kompanitë në listën e shkurtër ishin vlerësuar për aftësinë e tyre që të kryejnë punën, pa pasur nevojë të japin çmimin ishte përshkruar nga hetuesit e prokurorisë në kundërshtim me ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Pohimet se kontrata e dhënë Bechtel-Enka-s përkundër mungesës së një plani të pajtuar të ndërtimit ose kufizimit të çmimit po ashtu janë bërë nga Niko Naska, i vetmi anëtar shqiptar në komisionin vlerësues të përbërë nga pesë persona, konfirmoi ai në një intervistë ekskluzive për BIRN-in.

“Pyetja ime e parë ishte: A ka ndonjë plan të projektit, a e ka shikuar dikush këtë me kujdes? Por nuk kishte asnjë plan. Si mund të ndërtoni diçka pa një plan ndërtimi, e posaçërisht për një projekt të tillë të madh të infrastrukturës, e cila shkon prej 400 milionë në gati një miliard euro?”, shprehu dilemat Naska. “Si mundem unë, një inxhinier me vite përvojë që ka ndërtuar termocentrale dhe porte, të qëndroj në një nivel të tillë dhe të pranoj të jem pjesë e atij tenderi?”, shtoi ai. Naska i tha BIRN-it se i ishte kërkuar që të marrë pjesë në vlerësim, me njoftimin brenda një dite, përkundër që nuk ishte në gjendje të përcillte procedurat e mbajtura në anglisht. Ai u largua pas një dite.

Ata, “qeveria”, më thirrën një natë më herët duke më thënë se unë isha zgjedhur nga kryeministri Sali Berisha i cili kishte thënë shumë gjëra të mira për mua… por unë nuk dija asgjë për tenderin dhe si mund të isha pjesë e tij?”, tha ai. Ai po ashtu tha se nuk kishte qasje në ndonjë dokument të tenderit të shkruar në gjuhën shqipe. Në fund, katër anëtarët e mbetur të komisionit vlerësues zgjodhën Bechtel-Enka-n dhe filluan negociatat për një çmim të synuar. Ish-ministri i transportit Lulzim Basha thoshte atë kohë se Bechtel-Enka ishte zgjedhur në mënyrë transparente dhe metoda e shpejtë ishte e nevojshme, pasi vonesat prej një viti mund të kushtonin 75 milionë euro – 60 milionë euro nga rritja ekonomike dhe 15 milionë euro nga kostot e rritura. Asnjëherë, asnjë dëshmi nuk ishte prezantuar për të justifikuar këto shuma. BIRN-i ka pyetur Bashën, i cili tani është udhëheqës i Partisë Demokratike në opozitë dhe kryebashkiak në Tiranë, me seri të pyetjeve të ndërlidhura me autostradën, por ai ka refuzuar të komentojë.

Një dokument diplomatik i ShBA-së, po ashtu i publikuar nga Wikileaks më 2009-n, detajonte shkallën e logjistikës dhe planifikimit financiar të dobët. Sipas një dokumenti të një zyrtari të ambasadës së ShBA-së në Tiranë, “Bechtel” së pari ka llogaritur se shtatë milionë metër kub të dheut do të gërmohen, e cila u rrit në 14 milionë kur kontrata u dha më 2006 dhe u ngrit në 32 milionë në prill të 2009-s, më shumë se një vit para se seksioni i autostradës në Shqipëri të përfundojë.

SHBA-ja sheshon rrugën për “Bechtel”-in

Propozimi i Bechtel-Enka-s po ashtu ngriti kritika të shumta nga Banka Botërore dhe FMNja, të cilat refuzuan që të mbështesin projektin, ose të ndihmojnë Tiranën me fonde për ndërtimin e autostradës. Në një dokument diplomatik të Wikileaks-it të vitit 2006 të titulluar “Pengesa e ofertës së ‘Bechtel-it’ për të ndërtuar pjesën kyçe të autostradës”, Marcie B. Ries, ambasadore e atëhershme në Shqipëri, kishte thënë se do ta ndihmojë qeverinë për të tejkaluar kundërshtimet e Bankës Botërore, pasi autostrada e re “jo vetëm që do të ndihmonte tregtinë e Shqipërisë, por edhe atë të Kosovës”.

Përfshirja e ShBA-së shkoi përtej përkrahjes nga ambasada. Ries shkroi se Basha i kishte thënë asaj se ish-sekretari i Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, Tom Ridge, ishte duke këshilluar Tiranën në lidhje me marrëveshjen. Ridge kishte ardhur në Shqipëri me kontratë prej 40,000 dollarësh në muaj për të këshilluar qeverinë për anëtarësimin e saj në NAT O dhe themelimin e lidhjeve me Washington DC.

Sipas dokumentit të njëjtë, Orsalia Kalantopoulos, kordinatore regjionale e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, i tha qeverisë se ajo fuqimisht kundërshton projektin me katër korsi, pasi që përzgjedhja e ‘Bechtel’-it ishte “jokonkurruese dhe që autostrada duhet të bëhet me dy korsi për të reduktuar shpenzimet. Pretendimet e reja për keqbërjet me marrëveshjen dolën para dy jave në Shqipëri, pasi ministri i Financave, Shkëlqim Cani lajmëroi një hetim të ri në lidhje me financimin e autostradës përmes një kredie bankare prej 250 milionë eurosh. Shqipëria nuk ishte në gjendje që të huazojë nga institucionet ndërkombëtare financiare sepse që të dyja, Banka Botërore dhe Fondi Ndërkombëtar Financiar, kishin këshilluar kundër projektit të autostradës.

Vendi ishte detyruar që të shikojë nëpër bankat komerciale, me dyshimet se kanë huazuar me rata më të larta se tregu. Hetimi i fundit nuk ndërlidhet me hetimin tashmë të hedhur poshtë kundër Bashës dhe këshilltarëve të tij, e cila fokusohej për kushtet e kontratës dhe ngritjes së çmimeve.

Shpenzimet në Kosovë u dyfishuan

Kritikat dhe brengat për marrëveshjen janë reflektuar njëjtë edhe në Kosovën fqinje, ku kostoja e autostradës po ashtu u rrit pak më shumë se dyfishi nga çmimi fillestar i dhënë nga Bechtel-Enka. Pjesa e Kosovës, edhe pse e shtrenjtë me çmimin prej 400 milionë eurosh për 102 km, sipas kompanisë konsulente Eversheds, në fund fluturoi në 820 milionë euro për 77km, sipas një raporti të papublikuar, por të lëshuar për BIRN-in sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare.

Shifrat nga Ministria e Financave tregojnë se Bechtel-Enka ishte paguar 838 milionë euro dhe kjo shumë është 14 milionë euro më e madhe se ç’tregonte raporti i mbikëqyrësit të Bechtel- Enka’s kompanisë Hill International. Kompania mbikëqyrëse në raportin e saj shënoi se fatura që i shkoi Qeverisë së Kosovës ishte në shumë prej 824 milionë eurosh. As ministria e infrastrukturës por as ministria e financave nuk i është përgjigjur Gazetës Jeta në Kosovë se sa ka paguar qeveria e Kosovës ndër vite, që nga 2010 e deri më 2013, por edhe nëse ka mbetur ndonjë pagesë për vitin 2014. Po ashtu, qeveria duhej të alokonte edhe 128 milionë euro shtesë për shpronësimet e tokave private. Diplomati Italian, Andrea Capussela, njeriu me detyrë për mbikëqyrjen e ekonomisë së Kosovës pas deklarimit të pavarësisë më 2008, i tha BIRN-it se nënshkrimi i kontratës ndërmjet Kosovës dhe “Bechtel”-it arriti në një “krim politik”.

“Paramendoni numrin e spitaleve dhe shkollave, librat shkollorë dhe kompjuterët dhe shumë rrugë më të dobishme që kishin mundur të ndërtoheshin me ato para të shpenzuara për autostradë”, tha ai. Firmat kosovare të ndërtimit thonë se çmimet e dhëna nga konsorciumi amerikano-turk dhe të publikuara për herë të parë sot në BIRN, janë po ashtu “dy deri në tri” herë më shumë se që ofrojnë kompanitë vendore. Haziz Rysha, drejtor i një prej kompanive më të mëdha në vend për ndërtimin e rrugëve, “Eskavatori”, theksoi se gypat PVC me diametër 125 mm kushtojnë afër katër euro për metër në Kosovë, gjersa “Bechteli” ngarkoi qeverinë me 29 euro për metër, më shumë se shtatë herë më shtrenjtë se çmimi në treg. Një drejtor i një kompanie tjetër, i cili kërkoi që të jetë anonim, shtoi se ndërtimi i një kilometri të autorrugës nga kompanitë vendore kushton deri në dy milionë euro, krahasuar me 11.4 milionë euro që i është Bechtel-Enka-s. “I vetmi dallim është se autostrada është e mbyllur”, tha drejtori duke shtuar se nuk ka dallim në kualitet që shtrojnë kompanitë vendore.

SHBA-të injoruan shqetësimet e BE-së

Diplomati ndërkombëtar Pieter Feith me detyrë nga BE-ja dhe ShBA-ja për mbikëqyrjen e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë saj më 2008, i tha BIRN-it se ambasada e ShBA-së dhe ambasadori i saj Christopher Dell e ka penguar “që ta kryejë punën”.

Feith u largua nga Zyra Ndërkombëtare Civile (ICO) pasi ajo u mbyll më 2012. Ai thotë se gjatë kohës së tij në zyrë, “Dell më ka thënë në terma shumë të qartë se unë nuk duhet të fusë hundët në kontratën me ‘Bechtelin’ – se ajo nuk ishte punë e imja dhe se kjo ishte një çështje ekonomike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.” Feith, i cili po ashtu mbante pozitën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Kosovën ishte i brengosur se kontrata me “Bechtelin” do të shkatërronte financat e brishta të shtetit të ri dhe argumentonte se ato para do të mund të shpenzoheshin më mirë po të prekej shkalla e lartë e papunësisë së Kosovës prej 45 për qind. “Informatat mbaheshin të fshehura dhe papritmas na është prezantuar me një “fait accompli” [fakt i kryer] i kësaj kontrate – të qenët e kryer dhe të qenët obligim për buxhetin”, tha ai. Dell refuzoi të intervistohet, por më herët mbrojti procesin e përzgjedhjes për autostradë, duke theksuar se ishte një ndër më transparentët në histori të Kosovës. Këshilltarja ligjore e qeverisë së Kosovës, kompania britanike “Eversheds”, i ka thënë ekzekutivit të mos nënshkruajë, duke thënë se kontrata ishte shumë në favor të Bechtel-Enkas.

Dokumenti i “Eversheds-it”, tani i publikuar i plotë nga BIRN-i për herë të parë, kishte paralajmëruar se kontrata mund të jetë “jashtëzakonisht e rrezikshme”. Firma ligjore identifikoi një numër fushash ku kontrata standarde për projektet e mëdha infrastrukturore – Libri i Kuq i Federatës së Inxhinierëve Këshillues (FIDIC) ishte ndryshuar “plotësisht në një mënyrë të njëanshme”. FIDIC është organizatë ndërkombëtare që ofron mostra të kontratave për projekte të mëdha infrastrukturore. Kompania po ashtu kishte thënë se “Bechtel” “thjesht ka injoruar” udhëzimet e tenderit për një çmim fiks dhe sugjeroi se procesi i prokurimit duhej të mbahej edhe një herë. Kjo këshillë ishte injoruar. Bechtel-Enka thotë se propozimi i saj përputhej me udhëzimet e qeverisë. “Bechtel” tha se e ka kursyer qeverinë me qindra miliona euro duke propozuar devijimin e projektit për të mënjanuar tunelet e shtrenjta. Kompania shtoi se projekti do të kishte “përfitime ekonomike që shkojnë përtej Kosovës”.

Këshilla e “Eversheds” ishte dhënë në janar 2010 dhe deri sa disa ndryshime ishin bërë para nënshkrimit final të marrëveshjes tre muaj më vonë, shumë prej klauzolave të diskutueshme janë mbajtur. Kontrata e Kosovës tani është nën hetime nga prokurorët e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë-EULEX. Burimet e afërta me hetimin thonë se EULEX-i është duke shqyrtuar vendimin e qeverisë për nënshkrimin e marrëveshjes së autostradës. Ndërsa objektivi i hetimit nuk është shpalosur, besohet se fokusi është nëse kontrata ka qenë e dëmshme për ekonominë e Kosovës. Nuk ka asnjë dëshmi që sugjeron se dikush nga “Bechtel”, “Enka”, ose vetë Dell janë të implikuar në ndonjë hetim të kaluar, ose në hetimin aktual. Bechtel-Enka po ashtu ishte përjashtuar nga pagesa e miliona eurove të TVSh-së si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë. Pronari i kompanisë ndërtuese “Eskavatori” nga Kosova, Haziz Rysha tha se kompanitë vendore nuk përjashtohen nga këto taksa, që siguruan për Bechtel-Enka-n kthim prej 113 milionë eurosh vetëm në Kosovë. Duket se Bechtel-Enka ka pranuar një shifër të ngjashme edhe në Shqipëri. Zyrtarët e Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrise së Infrastrukturës kanë refuzuar që të përgjigjen në lidhje me skemën dhe ndikimin e saj në ekonomi. Në hapje të rrugës në nëntor 2013, presidentja Atifete Jahjaga, përshkroi rrugën si “ëndërr kombëtare dhe tani është një realitet kombëtar”. Kryeministri Hashim Thaçi tha se ajo do të shkurtojë kohën e udhëtimit për tre çerekë dhe do të kontribuojë në “ekonominë tonë të së ardhmes dhe rritjen sociale”.

“Autostrada shfrytëzohet pak”

Institucione të ndryshme përpiqen që të kuptojnë se si një pjesë 137 km e autostradës ka mundur të përfundojë duke kushtuar aq shumë, kosovarët dhe shqiptarët e zakonshëm vazhdojnë të vuajnë për shak se fondet kanë ndryshuar për të paguar Bechtel-Enka-n. Gjersa lojtarët kryesorë kanë fituar pozita të larta, dhe Bechtel-Enka ka fituar një projekt tjetër të madh infrastrukturor – autostradën Prishtinë-Shkup me çmim prej 600 milionë eurosh, autostrada aktuale ka dështuar që të japë shumë sa u takon përfitimeve ekonomike. Përkundër investimit të madh, tregtia në mes dy shteteve nuk është fuqizuar aq sa duhet. Sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave, 10.3 për qind e tërë eksportit kosovar ka shkuar drejt Shqipërisë në vitin 2005, gjersa shifrat e vitit 2011 tregojnë për një rritje vetëm 10.8. Shifrat zyrtare tregojnë se eksporti nga Shqipëria në Kosovë ne vitin 2005 ishin vetëm 1.6 për qind në totalin e Kosovës. Më 2011, shifra ishte 3.9 për qind. “Kjo rrugë punon vetëm në 10 për qind të kapacitetit të saj të plotë”, tha ndërtuesi dhe politikani Behgjet Pacolli. “Diçka duhet të ndryshojë në bashkëpunimin tonë ekonomik për të bërë që kjo rrugë t’i shërbejë ekonomisë së shteteve. Madje edhe njeriu që është në mbikëqyrje të autostradës pranon se shfrytëzimi i autostradës është i vogël. Lahudin Myrtaj, kryesues për mbikëqyrjen e autostradave brenda Ministrisë së Infrastrukturës, tha se autostrada e Kosovës është më e mira në Ballkan, por që shfrytëzimi i saj do të rritej nëse lidhet me rrugët e tjera rajonale. Deri atëherë, rruga do të mbetet pak më shumë se një luks për kosovarët dhe shqiptarët të cilët nuk mund ta përballojnë.

Grup Autorësh: Petrit Collaku, Erjona Rusi, Besar Likmeta, Lawrence Marzouk (Prishtinë, Tiranë, Londër). Ky artikull është prodhuar si pjesë e një programi të quajtur “Një gjurmë letre për qeverisje më të mirë”, me fonde nga Austrian Development Cooperation (ADC) dhe zbatuar nga BIRN-i

Restorant Lumare