“Rrufeja 2”: Materiale të tjera të Speciales kanë arritur sot në zyrat e OVL së UÇK’së

Dosje të reja të Gjykatës Speciale janë dërguar në zyrat e OVL’së së UÇK’së gjatë ditës së sotme, krejt këto dosje të ofruar nga Serbia për gjykimin e ish-ushtarëve të UÇK’së në Hagë, shkruan Gazeta Metro.
Lajmin e ka dhënë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK”së, Hyni Gucati ku e ka quajtur këtë me emrin “Rrufeja 2”.

Në një konferencë për medie, Gucati tha se në dokumentet e pranuara ka deklarata të dëshmitarëve, por jo edhe emrat e tyre.
“Ka ardhur në 15:30 dhe ka ikë si rrufeja në shpejtësi shumë të madhe ai person që i ka parë, jemi munduar t’i kombinojmë pak me i pa se çfarë ka në to, por emra nuk ka, janë deklarata të dëshmitarit pa emër por me shifra”, tha Gucati.
“ Ne i kemi quajtur Rrufeja 2, sepse ai tipi u ikë si rrufeja në orën 15:30, sepse kemi pas një problem me nja dy kolegë tanë, dhe s’kemi mujt me e kapë me e ditë kush është ai zotnia”, kanë thënë nga OVL.

Gucati ka treguar dokumentet me të cilat pretendohet se vërtetohen komunikimet mes zyrtarëve të Speciales, me prokurorë e njerëz të “UDB-së” serbe.
“Ne kemi deklaruar më herët që Gjykata Speciale bashkëpunon kryesisht me prokurorinë serbe dhe me Gjykatën Speciale të Serbisë për krime lufte. Po ua tregoj dy fletë në gjuhën serbe. Milorad Veljoviq është drejtor gjeneral i policisë në Serbi që ka qenë në bashkëpunim me prokurorët e Gjykatës. Ne s’kemi kontrullu, sepse kanë ardhë në 15:30, rrufe në shpejtësi shumë të madhe”, tha ai.

Ndërkaq, nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se ka pasur mbi 130 komunikime me drejtorin e Policisë serbe, dhe me zyrtarë të tjerë të aparatit shtetëror të Millosheviqit.