Rrëfimi i trishtë i jetimit nga Shkodra: Edukatoret na lidhnin me zinxhir dhe…


Ai nuk ka pasur një fëmijëri si shumica e bashkëmoshatarëve, madje shumë prej kujtimeve të tmerrshme e tronditin edhe sot botën e tij. Për shumë vite ka bashkëjetuar me paragjykimin, shikimet përçmuese të mësuesve dhe dhunën, e kjo për faktin se prindërit zgjodhën ta braktisnin kur ishte vetëm një foshnje e pambrojtur.

Në një rrëfim ekskluziv për ‘Gazeta Shqiptare’, 27 vjeçari Nertil Tola tregon se, jeta e tij ka qenë e mbushur plot me pengesa e vështirësi nga më të ndryshmet.

Kujton me dhimbje periudhën në jetimoren e Shkodrës, e madje shenjat e zinxhirit që edukatoret përdornin për ta lidhur (edhe pse vetëm një vogëlush), janë ende në këmbën e tij.

Më pas Nertili u zhvendos në fshatin Sos ku kushtet ishin shumë më të mira se në Shkodër, por në moshën 18 vjeçare ka dalë në rrugën e madhe të jetës, i vetëm, pa shtëpi, pa para e pa asnjë përkrahje.

Falë dëshirës e vullnetit për të ndryshuar jetën e tij, ai ka bërë punë nga më të ndryshmet, në një kohë që shteti nuk i ka siguruar asgjë.

Tola i bën thirrje shtetit shqiptar që të kthejë sytë nga jetimët, e t’i ndihmojë minimalisht me një punë apo arsimim, në mënyrë që jetesa e tyre të bëhet më e thjeshtë.

Para se të kalonit në fshatin Sos, në cilat jetimore keni qëndruar?
Fillimisht kam qenë në jetimoren e Shkodrës ku kemi pasur disa problematika të mprehta. Ka pasur një keqtrajtim çnjerëzor, e në shumë raste kemi ngelur edhe pa bukë. Kushtet nuk kanë qenë të mira dhe kujdestarët nuk na trajtonin mirë, madje na rrihnin kot e na lidhnin me zinxhir. Madje kam ende një shenjë te këmba nga zinxhiri që na vendosnin. Nuk kam asnjë kujtim të bukur aty, nuk dua ta kaloj nëpër mend tmerrin që kam përjetuar aty. Ishim rreth 70 fëmijë që jetonim në këto kushte, një traumë e vërtetë. Fatmirësisht fshati Sos na mori në mbikëqyrje.

Po në fshatin Sos si ju trajtonin? A kishte kushte më të mira dhe a arritët të arsimoheshit aty?
Në vitin 1997 kam kaluar në fshatin Sos, ku kushtet kanë qenë jashtëzakonisht shumë të mira. Nënat kujdeseshin për ne dhe aty kam bërë kopshtin dhe shkollën 8 vjeçare. Më tej jashtë qendrës së fshatit Sos (në shtëpinë rinore) kam kryer dhe gjimnazin. Faktikisht gjimnazin nuk e ndoqa deri në fund pasi paragjykoheshim shumë për faktin se ishim jetimë. Vetë mësuesit nuk na përkrahin dhe si i ri që isha ndihesha keq e zgjodha punën në vend të arsimimit. E si pasojë shkollën e mesme e bëra më vonë dhe më tej edhe universitetin në degën “Marrëdhënie me Publikun”.

Mund të na përshkruani disa prej punëve që keni bërë?
Fillimisht kam punuar në një kompani filmi e merresha me përkthime, ndërsa më vonë kam qenë pjesë e një reviste. Me ndihmën e përfaqësuesve të fshatit Sos u futa në një kurs kuzhine dhe personi që më mësoi më qëndroi goxha pranë e madje edhe më punësoi. Në gjithë këtë periudhë që kam bërë punët e sipërpërmendura kam qenë në komunitetin rinor dhe aty merrja një kuotë prej 16 mijë lekësh që t’i mbaja për ndonjë kafe. Sot në Shqipëri duhet të kesh mbështetjen e miqve apo të afërmve për të filluar një punë të mirë.

Sa kohë qëndruat në komunitetin rinor?
Nuk qëndrova shumë. Vetëm një vit e pastaj dola në rrugë të madhe ku u përballa me gjithë vështirësitë e jetës, pavarësisht se isha vetëm 18 vjeç. Fshati Sos më mbështeti për rreth 3 muaj me gjysmën e pagesës së qirasë, ndërsa pjesën tjetër e paguaja vetë.

Si e ke përballuar jetesën i vetëm?
Në shtëpinë me qira jetoja së bashku me një shok e ndanim përgjysmë gjithë shpenzimet e bëja punë nga më të ndryshmet për të mbijetuar, çfarë të dilte.

A ke pasur interes të njohësh prindërit e tu? A i ke kërkuar ndonjëherë?
Po, në moshën 18 vjeçare kam filluar të kërkoj për prindërit e mi. Më ka ndihmuar shumë një mik i imi për gjetjen e tyre, e fillimisht gjeta babain, i cili ishte në Pogradec. Kujtoj se e kam takuar për herë të parë te rruga e Elbasanit në kryeqytet e kemi folur shumë gjatë.

Baby Boo