Rrëfime nga Ukraina, shqiptarët atje nuk e ndiejnë rrezikun e luftës


Lajmet e mëngjesit ia kujtojnë çdo ditë fjalën luftë Aleksander Lekhovit nga Ukraina.

Në mesin e tensioneve të shtetit të tij me Rusinë, Aleksandri thotë se, javëve të fundit, ka parë më shumë uniforma ushtarake në rrugë.

Ky 32-vjeçar është në mesin e mijëra qytetarëve me prejardhje shqiptare që jetojnë në disa fshatra dhe qytete të Ukrainës.

Me disa vështirësi në të folur shqip, Aleksandri rrëfen se si ai dhe të afërmit e tij i shohin paralajmërimet për pushtim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia.

Sipas tij, situata tregohet më e keqe në media seç është në të vërtetë.

“Tani, për momentin, nuk ka shumë probleme dhe frikë nuk kemi. Nuk e di çfarë do të ndodhë nesër ose pasnesër, por për sot nuk kemi kaq probleme sa tregojnë mediat”, thotë ai.

Aleksandri jeton në fshatin Karakurt, që ndodhet në jugperëndim të rajonit Odesa të Ukrainës dhe ka afro 3,000 banorë.

Ai thotë se kjo zonë është më e qetë se të tjerat.

“Ne jetojmë në jug të Ukrainës dhe nuk ndihet diçka për luftë fare. Në të tjera anë të Ukrainës ndihet. Atje ka ushtarakë rusë apo të Ukrainës”, thotë Aleksandri.

Qysh në vitin 2014, në lindje të Ukrainës vazhdon një konflikt midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, i cili, deri më tash, ka marrë mbi 14,000 jetë njerëzish. Po në atë vit, Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Tash e sa javë, shteti rus ka grumbulluar në kufijtë me Ukrainën mbi 100,000 ushtarë dhe ka frikë se po përgatitet për pushtim.

Një ish-bashkëvendës i Aleksandrit, Maxim Kirchev, tani jeton në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

Ky 39-vjeçar me origjinë shqiptare thotë se situata në përgjithësi është e qetë, porse njerëzit po përgatiten për të gjithë skenarët.

“Ne mundohemi të rrimë të qetë. Njerëzit, në përgjithësi, mundohen të mos bëjnë panik. Në Ukrainë është një thënie: Rrini të qetë dhe pastrojeni armën tuaj”, thotë Maximi.

I rritur në familje me origjinë shqiptare, dialektin e shqipes e ka të vjetër, krahasuar me gjuhën moderne që flitet sot.

Në Ukrainë besohet se jetojnë rreth 5 mijë qytetarë me prejardhje shqiptare, thonë përfaqësuesit e komunitetit.

Ata janë të vendosur kryesisht përreth zonës së Odesës.

Të parët e tyre besohet se kanë shkuar atje rreth 200 vjet më parë, për t’iu ikur atëbotë luftërave të Perandorisë Osmane në zonën e Ballkanit.

Aleksandr Dermentli, kryetar i Shoqatës “Bashkimi i Shqiptarëve të Ukrainës”, që po ashtu jeton në Karakurt, thotë se të ardhurit shqiptarë e kanë prejardhjen kryesisht nga zona e Korçës në Shqipëri.

“(Shqiptarët) kanë ikur në një zonë të Maqedonisë [v.j. sot Maqedonia e Veriut] dhe më vonë në zonat e Rumanisë e Bullgarisë, ndërsa në fund kanë organizuar fshatin Karakurt në Ukrainë”, thotë Dermentli.

Banorët e atjeshëm tregojnë se gjuha shqipe ka filluar të mësohet si lëndë zgjedhore në zonat ku banojnë shqiptarët në Ukrainë vetëm në 4-5 vjetët e fundit.

Maxim Kirchev thotë se mungesa e kësaj lënde më herët, e ka lënë atë mangët në mësimin e shqipes moderne.

“Nuk kemi mësuar në shkolla, sepse askush nga shqiptarët në Ukrainë nuk e ka ditur gjuhën shqipe moderne”, thotë Maximi, i cili punon si shef i teknologjisë informative në një kompani në Kiev.

Sipas tij, shqipen në shkolla tani e ligjërojnë persona që kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë studiuar gjuhën shqipe atje, për t’u kthyer më vonë sërish në Ukrainë.

Ai thotë se kultura shqiptare vazhdon të ruhet – nga ushqimet deri te dasmat.

Babai i dy fëmijëve thotë se ka dëshirë ta vizitojë Shqipërinë, porse planet për këtë vizitë momentalisht ia ka shtyrë pandemia.

Ai thotë se fëmijët e tij flasin pak shqip.

“Unë shkoj me fëmijët e mi për pushime verore te prindërit e mi [në Karakurt] dhe atje mundohen të mësojnë disa fjalë [shqip]. Në Kiev ka shumë pak shqiptarë dhe nuk ka shkollë në shqip apo qendër kulturore”, thotë Maximi./REL

Baby Boo