Riprojektimi i autostradës Kërçovë-Ohër, kinezët kërkojnë 56% më shumë para se tenderi fillestar


Ngecja e ndërtimit të Autostradës Kërçovë-Ohër ka bërë që Qeveria të miratojë një propozim-ligj për një aneks të ri të kontratës me kompaninë kineze “Sinohidro”. Për vazhdimin e punimeve në autostradën me gjatësi prej 57 kilometrash, do të zhbllokohen 205 milionë euro nga financimet e dhëna më parë për projektin. Kjo sipas zëvendës-kryeministrit Koço Angjushev kjo do të intensifikojë aktivitetet e ndërtimit në terren dhe do të mundësojë pagesa për kompanitë vendore të angazhuara si nënkontraktorë.

Nëse propozim-ligji kalon në Kuvend, aneksi i tretë me kinezët është paraparë të nënshkruhet në tetor për të rregulluar çmimet për punën shtesë, siç janë: ndërtimi i rrugëve rajonale që lidhin fshatrat përreth me shtimin e 9 kyçjeve, mbikalimeve dhe nënkalimeve; zgjerimet anësore të rrugës që kalon nëpërmjet kodrave; dhe kostoja shtesë e tunelit që nuk kishte një studim adekuat gjeo-mekanik.

Nga ajo që kemi pasur si evidencë, çmimet të cilat janë të paguara nga ndërmarrjet tona ndaj “Sinohidro” dhe më pas atë punë që i kanë punuar nënkontraktorët që “Sinohidro” i ka paguar ndaj nënkontraktorëve të Maqedonisë, dallim në çmim ka mesatarisht 56%. Kjo është bërë ashtu në bazë të marrëveshjes, ndërsa ne këtë nuk mund ta vazhdojmë. Absolutisht ishte kusht dhe pa atë nuk vazhdojmë, përkatësisht ato dallime në çmime të zvogëlohen dhe të jenë në përputhje me rregullat “FIDIC”, të ketë çmim të nënkotraktorëve dhe shpenzime të pranueshme të kontraktorit.”deklaroi zv/kryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Sipas Ndërmarrjes Publike për Rrugë shtetërore, për ndërtimin e trasesë rrugore prej 57 km do të duhet të zbatohet një teknologji krejtësisht e re. Për të ndërtuar tunelin në Vërbjan, në gjatësi prej 4 km, sipas projektit të parë është dhënë për ndërtimin në kodër shkëmbore, kurse kinezët në terren kanë hasur në kodër me materie të butë gurore. Kjo sipas ekspertëve vështirëson gërryerjen në tunel dhe pamundëson ndërtimin sipas standardeve me atë çmim që është dhënë në tender.

Ministri i Transportit, Goran Sugarevski tha se Qeveria vendosi të vazhdojë projektin, sepse në të kundërtën në bazë të marrëveshjes që nënshkroi qeveria e mëparshme me “Sinohidro”, kjo e fundit do të kërkojë dëmshpërblim të madh dhe projekti do të dështojë. Ai tha se gjatë negociatave me kinezët do të mundohen që koston shtesë ta ulin për 10% nga ajo që kërkohet nga Kompania “Sinohidro”.

“Në vetë Propozim-Ligjin që shkon në Kuvend, do të lirohen 205 milion euro, të cilat mund të shfrytëzohen për gjëra të tjera, për shkak se sipas marrëveshjes bazë, një pjesë e mjeteve për disa pikë të caktuara nuk ka mundur që të shfrytëzohen. Me këtë propozim ligj, mbarojmë punë për dy çështje, pjesa e parë është të vazhdohet ndërtimi i segmenteve ku është ndaluar, ndërsa pjesa e dytë është që të mund të kryhen pagesat e kompanisë kineze ndaj kompanive që punojnë”, deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.

Ndërtimi i autostradës ka filluar në shkurt të 2014-ës dhe në bazë të marrëveshjes ekzistuese është dashur të kushtojë rreth 400 milionë euro. Me zgjatjen e afatit, ndërtimi i autostradës duhet të jetë gati nga mesi i vitit 2021. Drejtori i NP “Rrugët shtetërore” Zoran Kitanov, tha se kanë trashëguar telashe edhe me rreth 2 mijë prona, ku sipas tij, deri më tani vetëm 10% është bërë shpronësimi i tokave nëpër të cilat kalon autostrada.

Për këtë projekt, PPS ka ngritur rastin gjyqësor “Trajektorja”, në të cilin për keqpërdorime akuzohet ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministri i transportit Mile Janakievski, ish-zëvendës kryeministri Vlladimir Peshevski dhe ish-drejtori i Agjencisë së atëhershme për rrugë shtetërore, Lupço Georgievski. Këta akuzohen se gjatë vitit 2012-2013 kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në procedurën e përzgjedhjes së kompanisë kineze për ndërtimin e autostradave Kërçovë-Ohër dhe Miladinovci-Shtip. Sipas aktakuzës së PPS-së, ata e kanë dëmtuar buxhetin e shteti për 155 milion euro.

Baby Boo