Së shpejti pritet të ketë takim në mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, thonë burimet brenda partiake. Temë e bisedimeve do të jetë zgjerimi i shumicës parlamentare gjegjësisht hyrja e BESËS në Qeveri.
Bisedimet mes kryeministrit Zoran Zaev dhe partnerëve të mundshëm të koalicionit qeverisës kanë arritur tek ndarja e resoreve.
Kryeministri Zoran Zaev dje deklaroi se është në pritje të përgjigjes nga partitë opozitare ndaj ofertës që ai u ka bërë për përfshirje në koalicionin qeveritar. Ai shtoi se vonesat në rikonstruim vijnë për shkak se ka nevojë që partitë të bëjnë konsultime të brendshme. Ai poashtu pohoi se konsultimet po vazhdojnë ende.
Asnjëra palë e negociuesve nuk shpalos se cilat janë postet për të cilat po negociohet, megjithatë nëpër opinion qarkullojnë informata se përveç postit të zëvendëskryeministrit për reforma dhe Ministrisë për investime të huaja, pjesë e bisedimeve të Kryeministrit Zoran Zaev me partnerët e mundshëm të koalicionit Qeverisës, BESA dhe PDSH, janë edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ajo e kulturës dhe ministria e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.
Muaj më parë, kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se planifikon të zgjerojë koalicionin qeveritar dhe shumicën parlamentare edhe me parti të tjera nga kampi opozitar shqiptar. Më pas edhe zyrtarisht Zaev njoftoi se ka filluar bisedimet me Lëvizjen Besa duke i vlerësuar si të rëndësishëm 5 deputetët e kësaj partie. Rikonstruimi sipas numrit një të Qeverisë bëhet me qëllim që të forcohet stabiliteti i koalicionit dhe të mundësohet miratimi i reformave të cilat janë kyçe për procesin integrues të vendit.