Rexhpi: Sot llafet boshe po bëjnë më shumë bujë se një qëndrim konstruktiv


Shkruan: h. Sulejman ef. Rexhepi

Toleranca dhe dialogu janë dy shprehjet të cilat, pa kurfarë dyshimi, janë përdorur në opinionin tonë shumëfish më tepër se fjalët bukë e ujë. Do kisha thënë se ato, në fakt, janë stërpërdorur dhe njësoj sikur robat që veshen çdo ditë e shndërohen në lecka, janë bërë antipod i kuptimit fisnik që kanë. Duke qenë i orientuar të konceptojë tolerancën aq shumë të nevojshme për Maqedoninë vetëm si një fluskë sapuni, natyrisht që një pjesë e opinionit edhe dialogun në përgjithësi po e koncepton si luftë që , shyqyr Zotit, tani për tani po zhvillohet në nivele verbale.

Por, nëse njerëzit në vazhdimësi diskualifikohen për shkak se nuk mendojnë njësoj sikur ndonjë grup tjetër dhe nëse ju nënshtrohen paragjykimeve dhe gjykimeve kategorike të atij grupi, nëse askush nuk ua dëgjon argumentet dhe i diskualifikon shpeshë herë edhe përmes gjuhës së urrejtjes, frikësohem se lufta verbale mundë të tejkalojë formën që e ka.

Sidoqoftë, për momentin, vetëm urrejtje dhe shkëmbim ofendimesh po shohim e po dëgjojmë. Një mendësi dhe mënyrë sjelljeje që e inauguruan politikanët tanë në këto vite tranzicioni në mungesë të ofertës së vërtetë e të drejtë, dalngadalë u përqafua edhe nga një sërë mediash të cilat gjuhën e urrejtjes po përpiqen t’a maskojnë me lirinë e fjalës dhe shprehjes.

Dhe, çfarë duhet bërë në situatë kur nuk ekziston një ligj universal për sanksionimin e atyre që pa kurfarë pardoni po shkelin mbi çdo kufi të asaj që është e lejuar ? Cilët janë mekanizmat mbrojtës të viktimave të gjuhës së urrejtjes në një ambient të këtillë në të cilin gjuha e urrejtjes po bëhet gjithnjë e më shumë mënyrë normale e komunikimit kurse llafet boshe po bëjnë më shumë bujë se një qëndrim konstruktiv?

Besoj thellësisht në vetëdijen e opinionit të përgjithshëm në Maqedoni, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare dhe fetare.Besoj se nuk mundë të jenë legjitime vetëm synimet dhe qëllimet e një individi apo grupi kurse ato të një individi apo grupi tjetër të shpallen apriori të padrejta dhe jolegjitime. Besoj kështu sepse, në të kundërtën, të gjithë ne do duhej të pajtohemi se po kthehemi në epokën e njëmendësisë dhe të përshëndetemi me vlerat esenciale të demokracisë të cilat aq shumë i kemi përfolur dhe të cilat aq shumë jemi përpjekur t’i jetësojmë.

Mjerisht, Maqedonia sot, sa do që nuk dëshiron të pranojë , po ballafaqohet me forma nga më të ndryshmet të gjuhës që përhapë urrejtje. Edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe të gjithë të tjerët që jetojnë në këtë shtet janë zhytur në këtë llum. Brohoritjet shoveniste, raciste e fashiste që dëgjohen jo rallë nga goja e të rinjëve nëpër ndeshjet sportive, ofendimet mbi baza kombëtare e fetare nëpër fb, mesazhet e çoroditura që i përçojnë individë të caktuar nëpër media dhe thirrjet destruktive që përhapen nga tubime e protesta të ndryshme, vetëm dëshmojnë këtë që po them. Mjerisht, kjo gjuhë e urrejtjes që në të shumtën e rasteve po inspirohet nga politikanë gjysmakë e dështakë, domosdoshmërisht në një moment të caktuar shkakton edhe përplasje fizike që ,siç e kemi parë, mundë të përfundojë tragjikisht.

Vetëm po përkujtoj se çdo gjë, qoftë një fjalim, një shkrim a një mënyrë e sjelljes, që nxitë paragjykime ndaj një individi, një grupi, një kombi a një feje, konsiderohen gjuhë e urrejtjes. Përdorim i gjuhës së urrejtjes konsiderohen edhe deklaratat që ndjellin frikë, e shqetësojnë, e odendojnë ose e diskriminojnë një individ apo një kolektiv. Dhe, kuptohet, gjuha e urrejtjes shërben për të krijuar një qëndrim mohues ndaj një individi apo kolektivit të cilit ai i takon.

Krejtë në fund, i vetëdijshëm se për gjuhën e urrejtjes që është bërë përditshmëri e jona, jemi fajtorë të gjithë nga pakë, pra familja, edukatorët dhe arsimi i politizuar, subjektet politike që për interesat e tyre po i dezorientojnë të rinjtë, po pyes : Cka më tutje dhe si më tutje, cila është mënyra për të dalë nga skëtera që po e krijojnë ndasitë artficiale dhe urrejtja ndaj çdokujt dhe ndaj çdo gjëje mu përpara hundës së institucioneve që do duhej të gjenden në ballë të luftës kundër kësaj dukurie ?

Po pyes sepse vetë nuk kam përgjegje! Po pyes dhe po kërkoj përgjegje, sepse kjo gjuhë e urrejtjes është tërësisht në kundërshtim me parimet e fesë islame, siç është në kundërshtim edhe me parimet e krishterizmit dhe megjithatë ajo gjuhë po praktikohet dhe po përhapet edhe nga muslimanë, edhe nga të krishterë. Zoti qoftë me ne.

Baby Boo