Reformat në gjyqësor, kushti themelor i Brukselit për datën


Bashkimi Evropian kërkon rezultate konkrete dhe garanci se gjyqësori do të funksionojë i pavarur dhe pa presione politike. Në konkluzat e mbrëmshme të Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së, Maqedonisë i kërkohet të sigurojë kushte për reforma në gjyqësor.

Në dokument theksohet rëndësia e përfundimit të proceseve të filluara të Prokurorisë speciale si dhe epilog përfundimtar për hyrjen e organizuar dhe të dhunshme në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar. Ministrja e drejtësisë thotë se ka reforma në gjyqësor, por refuzoi t’i komentojë proceset gjyqësore të cilat e përmendi BE-ja si një nga faktorët kryesor për lëvizje përpara në reformat në gjyqësor.

Nuk do të doja të paragjykoj vendimet gjyqësore, por duke marrë parasysh faktin se tashmë në Ministrinë ka grupe punuese, që punojnë në efikasitetin e procedurave gjyqësore edhe atë me ligje që miratohen me shumicë prej dy të tretave, ne si Ministri do të tentojmë të krijojmë një ambient të ushtrimit të paanshëm të funksionit të gjykatësve – deklaroi Renata Deskovska, ministre e Drejtësisë.

Për dallim nga ministrja, anëtari i Këshillit për ndjekjen e implementimit të reformave në gjyqësor, Zvonko Davidoviq, nuk pajtohet se janë bërë reforma në këtë sektor.

Kërkesat e BE-së janë të njëjta konstant. Reformat në gjyqësor nuk kanë shënuar përparim, lëre që nuk janë në fund, por as që kanë nisur. Fillimisht duhet bërë ndryshime kadrovike. Patjetër duhet të mendohet në çfarë mënyre do të reformohet Këshilli Gjyqësor, i cili u përmend si një prej shkaktarëve kryesor të problemeve në gjyqësor – tha Zvonko Davidoviq, avokat.

Përparim të dobët dhe reforma të ngecura vëren edhe ish prokurori, Alekandar Nakov.

Jo që kanë ngecur, por reformat aspak nuk kanë filluar. S’mundemi me njerëzit e njëjtë të bëjmë reforma në gjyqësor. Përzgjedhja e njerëzve në një pjesë të gjyqësorit, sidomos në prokurori, tregon fakton se me njerëzit e njëjtë duam të bëjmë reforma – u shpreh Aleksandar Nakov, ish prokuror.

Alsat M që në muajin nëntor të vitit të kaluar publikoi se Bashkimi Evropian, ka dorëzuar dokument me një varg kritikash për punën e Qeverisë Zaev. Para shtatë muajve, Komisioni kërkoi qeveria më seriozisht të punojë në zbatimin e reformave në pjesën e gjyqësorit apo rrumbullakimin e panit qeveritar “3-6-9”. Komisioni Evropian atëherë porositi se qeveria e re më shumë kohë harxhon në marketing nëpër media sesa në zbatim efektiv të reformave.

Baby Boo