Referendumi shpallet të hënën, kryeministri Zaev: Pres vendim të mençur nga qytetarët


Në koordinim me deputetët e VMRO-DPMNE-së, seanca plenare për shpalljen e referendumit do të jetë të hënën, me çka referendumi do të mbahet më 30 shtator. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev sot deklaroi se pret vendim të mençur nga qytetarët, njofton Portalb.mk.

“Pres referendum të suksesshëm dhe vendim të mençur nga shumica e qytetarëve që do ta konfirmojnë rrugën e anëtarësimit tonë në BE dhe NATO. Shumica e qytetarëve njëherë zgjodhën demokraci në vend të regjimit, dhe na e besoi nderin dhe përgjegjësinë që t’i realizojmë ndryshimet pozitive me të cilat dëshmojmë përkushtimin tonë për anëtarësim në NATO dhe BE”, tha Zaev.

Për portalin “SDK“, burimet nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe VMRO-DPMNE thonë se do të ketë konsultime për pyetjet e parashtruar në referendum.

Sipas asaj që paralajmëroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pas takimit të liderëve, pyetja do të jetë:

“A jeni për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO me pranim të marrëveshjes së emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë?”.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar më 17 qershor në fshatin Psarades të Prespës, emri i ri i shtetit do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut, me gjuhë maqedonase dhe kombësi maqedonase.

Baby Boo