Referendumi për emrin, Zaev kërkon unitet për referendum


Partitë politike ende nuk janë dakorduar rreth datës së mbajtjes së referendumit dhe as për përmbajtjen e pyetjes që do të hidhet në referendum. Ngec edhe procesi i kompletimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili duhet të organizojë dhe realizojë referendumin shtetëror.

Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se duhet konsensus politik dhe shoqëror për këtë çështje, ndërsa rezultati do të duhet të jetë i detyrueshëm.

“Dua që të gjithë aktorët politikë të vendosim për këtë çështje, së bashku me sektorin civil. Është me rëndësi nëse referendumi do të jetë konsultativ ose i detyrueshëm. Ajo që duhet të dinë të gjithë është se rezultati do të jetë obligativ. Kjo d.m.th. se, nëse referendumi kalon, do të kemi detyrë që të përulemi para qytetarëve, ta respektojmë vullnetin e tyre dhe të votojmë në Kuvend, por edhe të punojmë në reformat dhe proceset që pasojnë”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Edhe nga BDI mohojnë se kanë filluar konsultimet për referendumin dhe zgjedhjen e përbërjes së re të KShZ-së.

“Çdo gjë do të jetë në harmoni me ligjet dhe Rregulloren e Kuvendit”,- përgjigjen shkurt integristët.

“Besa” e Gashit pret takimin e partnerëve të koalicionit qeverisës për të harmonizuar qëndrimet. Ende nuk është përcaktuar se cilët kandidatë do t’i mbështesë për anëtarë në KShZ.

Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët dhe “Besa” e Kasamit harmonizojnë qëndrimet për anëtar të përbashkët të opozitës në KShZ. Referendumin e mbështesin, në parim.

E vetmja që kundërshton referendumin është VMRO-DPMNE, e cila mohon bashkëpunimin me LSDM-në për organizimin dhe mbajtjen e referendumit.

“VMRO-DPMNE nuk do të mbështesë ligj antikushtetues dhe as proces për ndryshimin e Kushtetutës së RM-së. Nuk do të mbështesë dhe as do të marrë pjesë në punën e Kuvendit për çdo gjë që ka të bëjë me Marrëveshjen personale të Zoran Zaevit për kapitullimin e RM-së”, – kumtoi opozita maqedonase. Sa i përket kompletimit të KShZ-së, VMRO pret që Kuvendi t’ia adresojë kërkesën, edhe pse me Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime kryeson vetë VMRO, përkatësisht deputeti, Ilija Dimovski.

Baby Boo