https://www.facebook.com/tv21hd/videos/315132332371806/
Më 30 shtator qytetarët e Maqedonisë do të bëjnë zgjedhjen që do t’i japë formë të ardhmes së vendit. Kështu deklaroi sot drejtori për politika fqinjësore dhe zgjerim të Bashkimit Evropian, Kristian Danielson, duke ju kërkuar qytetarëve të dalin dhe të votojnë ditën e referendumit.
“Shfrytëzojeni të drejtën tuaj demokratike për të votuar. Kjo është mundësia e vetme që ta formoni shoqërinë në të cilën ju do të doni të jetoni dhe t’i shihni se si përparojnë familjet tuaja” deklaroi Drejtori për politika fqinjësore dhe zgjerim të BE-së, Kristian Danielson.
Danielson tha se tashmë mund të ndihen hapat e Maqedonisë në rrugën e saj drejt BE-së. Kjo do të sjellë më shumë zhvillim, rritje ekonomike dhe më shumë vende pune, shtoi ai. Ndërkaq Kryeministri Zaev tha se tashmë vendi e ka bërë zgjedhjen dhe ajo është Maqedonia evropiane bashkë me vlerat që ajo mbart.
“Republika e Maqedonisë e ka bërë zgjedhjen e saj. Zgjodhi ardhmërinë në vend të izolimit. Për herë të parë në historinë e saj Republika e Maqedonisë u ul në tryezë si partner i barabartë, me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara për të biseduar dhe për të vendosur për të ardhmen. Kjo gjë deri më tani nuk kishte ndodhur asnjëherë. Për të ardhmen e saj, në historinë tonë është vendosur pa praninë tonë. Ne tham: jo. Për veten dhe të ardhmen tonë do të bisedoni me ne” deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Në fillimin e fushatës “Imagjino të ardhme të përbashkët” foli edhe euroambasadori Samuel Zhbogar. Ai tregoi se në javët në vijim do të realizohen takime mes përfaqësuesve në BE-së, kryetarëve të komunave dhe qytetarëve.
“Takimet tona do të jenë mundësi që ne të dëgjojmë atë që qytetarët kanë për të thënë për problemet me të cilat përballen në bashkësinë e tyre. Migracionin, papunësia, problemet në shëndetësi, ndotja, decentralizimi fiskal janë vetëm disa çështje që kryetarët e komunave i kanë ngritur gjatë diskutimeve të mija me ta” deklaroi ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
Përmes këtyre aktiviteteve, sipas Zhbogarit, me qytetarët do të flitet edhe për projektet e ardhshme. Gjithashtu do t’u prezantohen atyre vlerat e Bashkimit Evropian, si të drejtat e njeriut, barazia dhe toleranca.