Real Madrid dhe “mallkimi” Ronaldo (FOTO/VIDEO)


Real Madrid e ka marrë “teposhtëzen” që nga ikja e Cristiano Ronaldos nga ekipi.

Mbretërit kanë kaluar nëpër një sezon të vështirë më 2018/19, pas largimit të yllit portugez në skuadrën italiane, Juventus.

Edhe pse ishin shkrepur shkëndija shprese për një ri-ngritje të famshme pas rikthimit të trajnerit Zinedine Zidane, një gjë e tillë ende nuk është vërejtur, të paktën nga rezultatet e ndeshjeve miqësore gjatë verës.

Të shtunën Reali u poshtërua nga Atletico Madrid me rezultat 7-3. Ndërsa për tre ndeshje ka pësuar 12 gola dhe ka shënuar vetëm gjashtë sosh.

“Los Blancos” kanë sjellë në ekip disa lojtarë deri më tani, në afatin kalimtar veror, përfshirë edhe yllin belg, Eden Hazard. Megjithatë, rezultatet nuk janë përmirësuar.

Gazeta sportive spanjolle, Marca, në një analizë për gjendjen e klubit Real Madrid thotë se gjigantit spanjoll i mungon intensiteti i lojës së dikurshme.

Edhe formacioni nisës është i njëjti me atë të sezonit të kaluar, përveç Eden Hazard, shkruan Marca, përcjell Klan Kosova.

A është e gjithë kjo situatë shkak i mungesës së Ronaldos?

Pesë herë fituesi i Topit të Artë po kalon ende një formë të mirë me Zonjën e Vjetër. Ai ka shënuar dy herë në tre ndeshjet e zhvilluara gjatë verës.

Ndërsa zbrazëtinë e tij tek Galaktikët ende nuk ka arritur ta mbushë askush.

Sezonin e fundit, në pozitën e tij luajtën disa lojtarë, përfshirë Asension, Iscon, Lucas Vasquez dhe talentin e ri Vinicius Junior. Madje numri shtatë, pas largimit të tij, iu vendosë në shpinë Mariano Diaz.

Por, asnjëri nga ta nuk arriti t’i ndihmojë ekipit ta fitojë një titull. Reali u eliminua në Spanjë në Kupën e Mbretit nga Barcelona, ndërsa në Ligën e Kampionëve u deklasua nga Ajax. Po ashtu, përfundoi në vendin e tretë me 19 pikë më pak se kampioni Barcelona.

Ylli portugez kishte shënuar më së shumti gola për ekipin spanjoll që atëbotë u shpall katër herë kampion Europe për vetëm pesë vjet.

Mediet dhe fansat e mbretërve kanë bërë bujë të madhe për Hazard, i cili u morr nga Chelsea për 100 milionë euro. Belgu ende nuk e ka gjetur rrjetën në ndeshjet miqësore, por ka arritur të asistojë për gol, njofton Klan Kosova.

Tashmë, sytë janë kah ai që ta mbulojë krahun e majtë në sulmin e madrilenëve, dhe ta largojë “mallkimin” që e ka kapur skuadrën që nga largimi i Cristianos.

Real Madrid ka filluar të ketë probleme të mëdha në sulm edhe me lojtarët e lënduar, ende pa filluar liga spanjolle. Nuk mund të llogarisë në Asension gjatë tërë sezonit, ndërsa i posa transferuari, Luca Joviq, do të mungojë më shumë se dy muaj.

Baby Boo