Reagim i BFI: “Kur autori gënjen popullin”


Bashkësia Fetare Islame reagon ashpër ndaj tendencës që kohëve të fundit ngritet nga qarqe anti-islame për të njollosur hoxhallarët e vendit dhe gjetkë. Në këtë shërbim, tërthorazi dikush e futi edhe TV SHENJA, televizion ky shumë i respektuar, tashmë të dëshmuar me një politikë redaktuese origjinale, që mëton të jetë në të mirë të popullatës së përgjithshme. Gjegjësisht, në emisionin satirik “Fol popull”, autori i tij i kishte dhënë vetes të drejtën që ta nëpërkëmbë imazhin e TV SHENJA dhe të përgatisë një material tërësisht të shpifur, të pavërtetë dhe shumë ofenduese për islamin, për Bashkësinë Fetare Islame në RM si dhe për kreun e saj.

Bashkësia Fetare Islame është e bindur se ky nuk është qëndrimi redaksional i TV SHENJËS por është qëndrimi urrejtës i autorit që na del se është i futur në po ato qarqe të cilat po mundohen që ta dëmtojnë të vetmin Institucion Fetar Islam në vend.

Autori i këtij emisioni, Burhan Amiti, tendenciozitetin e vet e shpreh që nga koncepti idiotik i këtij emisioni e deri te përfshirja e personazheve dhe ngjarjeve të pavërteta. Fytyrat që qarkullojnë në emision autori në fjalë i paraqet si “djali i Reisit”, ndërkohë që flet përçartur për disa të ashtuquajtura “memoare” të cilat BFI ka demantuar se janë të Reisul Ulemasë qysh më vitin 2016. Përndryshe, kategorikisht mohojmë se Reisul Ulema ndonjëherë ka shkruar memoare, ndërsa këto që po qarkullojnë në emër të tij, në fakt janë pjellë satanike e të mallkuarve. Pra, autori që mundohet të fshihet pas “zërit të popullit”, veprimin kriminal, të pandodhur në historinë e njerëzimit, siç është shkrimi i memoareve të rrejshme e imagjinare në emër të tjetër kujt, mundohet të na e paraqesë si argument ku bazohet për sajim të një rrene të madhe.

Ne, si Institucion Fetar Islam, presim që Televizioni i respektuar SHENJA t’i kërkojë falje publike Institucionit, Reisit dhe familjes së tij, ndërsa ia bëjmë me dije autorit të “Fol Popull” që të përgatisë fakte e argumente para gjykatave të vendit, sepse që sot ai është i paditur në institucionet e drejtësisë.

Me respekt

Shërbimi për Informim pranë BFI në RM

Baby Boo