RASTI “TANKU”, AVOKATËT E LANË VETËM NË SEANCË ISH MINISTREN JANKULLOVSKA


Boro Tasevski, njëri prej avokatëve të ish-ministres së Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, gjatë seancës gjyqësore për rastin “Tank”, ka deklaruar se ka mundësi që mos të jetë më mbrojtja e Jankullovskës, pasi siç u shpreh ai është shumë i angazhuar me lëndë tjera. Por, për këtë gjë, ai tha se do të njoftoj gjykatën me kohë. Jankullovska në fillim të gjykimit ishte e vetme, pasi avokatët e saj Sanja Aleksiq dhe Boro Tasevski, kishin qenë në një gjykim tjetër. Mirëpo pasi që gjykatësja Kacarska tha se nëse nuk vijnë së shpejti do t’i dënojë me dënimet më të larta, ndërsa të akuzuarës do t’i vendosë avokat sipas detyrës zyrtare, avokatët erdhën në sallë.

Rasti “Tanku” vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Dëshmitari Nenad Nikollovski, i punësuar në MPB si udhëheqës  i njësitit për prokurim publik ka dëshmuar se deri në janar të 2012-tës ka qenë i  paraparë plani për blerjen e mercedesit, mirëpo pjesa më e madhe e planit ka pasur të bëjë me bëjë me kushtet e tenderit dhe vlerën e blerjes së mercedesit. Vlera fillestare e automjetit sipas Nikollovskit ishte më e ulët, madje dyfish më e ulët se sa në vendimin për blerjen e mercedesit. Lidhur me specifikat teknike, dëshmitari  Nikollovski tha se ata janë pjesë e dokumentacioneve të tenderit, proces i cili ka filluar në vitin 2011.

Gjykimi i ndarë për Jankullovskën filloi dje, pasi ishte veçuar për shkak shtatzënisë së rrezikshme të saj. Ajo dje në seancë tha se nuk ndjen faj për veprën e bërë,  para gjykatës ajo u ankua se mediat kanë realizuar fushatë negative për të.

Ndërkohë, përshkak të mungesës së ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe avokatëve të tij, u anulua gjykimi në Gjykatën e Apelit, pas ankesës së Gruevskit ndaj vendimit me  dënimin me burg prej dy vitesh për rastin Tanku. Gjykatësi vendosi që ta anulojë seancën pasi nuk ishin përmbushur kushtet të fillojë gjykimi, ku duhej të rishikohej ankesa e Gruevskit për vendimin e Gjykatës Penale. Gruevski e kishte njoftuar gjykatën se  njëkohësisht ai dhe mbrojtja e tij janë në rastin “Dhuna në Komunën Qendër”.

Në këtë rast ish-kryeministri Nikolla Gruevski nga Gjykata Penale është dënuar me dy vite burg, ndërsa i akuzuari i dytë, Gjoko Popovski ka marrë dënim me burg prej 6 vite e gjashtë muaj.