Rasti “Monstra”, akoma nuk ka përgjigje nga Kosova për ekstradimin e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit


Me dëshminë e personave ekspertë të MPB-së të cilët kanë bërë analiza dhe hetime në disa makina, sot në Gjykatën Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill 2012.

Për rastin “Monstra” në procedurë paraprake, lëndë e analizës kanë qenë automjetet “Opel Omega”, “Golf 3”, “Peugeot 306” dhe “Mazda 626”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Eksperti i parë, i punësuar si shef në Sektorin për çështje kriminalistike-teknike, ka kryer edhe analiza daktiloskopike, gjegjësisht analizën e gjurmëve të gishtërinjve dhe gjurmëve, të automjetit “Pegeot 306” dhe materialit të marrë prej tij, si edhe të automjetit “Mazda 626” me ngjyrë të kaltër.

Në pyetjen prej Gjykatës, personi ekspert tha se mbetet me deklaratën e dhënë para gjykatësit hetues të lëndës paraprake.

“Pas analizës së bërë. Gjurmët prej linjave kapilare të cilat janë kategorizuar si më të qëlluara për identifikimin e personave janë futur në sistem me ç’rast është bërë identifikimi me personin Alil Demiri dhe personin e shënuar nga SPB Kumanovë si Nuhiji Bujan, për të cilin nuk është përcaktuar identiteti i saktë”, deklaroi personi ekspert.

Ai shtoi se gjurmët e një pjese të dëshmive materiale prej automjetit “Peugeot 306”, si llogari dhe vërtetime, kanë përkuar me ato të personit Samir Luta, i cili më vonë është futur në sistemin për analizë nga SPB Shkup.

Kryetari i këshillit gjyqësor, Ognen Stavrev, në fillim informoi se akoma nuk ka përgjigje për kërkesat për ekstradimin e dy prej të akuzuarve, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq të cilët janë në arrati në Kosovë. Të gjithë të akuzuarit e tjerë ishin të pranishëm në sallën e gjykatës.

Përfaqësues të aktakuzës nga Prokuroria Publike Speciale janë prokurorët, Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski.

Rasti “Monstra” në shkurt të këtij viti filloi nga fillimi dhe ende gjendet në procedurën e dëshmive. Familjarët e të vrarëve në seancën e kaluar kanë reaguar mbi tempin me të cilën zhvillohet rasti, ndërsa prokurorja Fatime Fetai ka kërkuar nga gjykata të caktohen më shumë seanca përnjëherë.

Për vrasjen e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, kur u vranë djemtë Kire Triçkovski, Filip Sllavkovski, Cvetanço Ackovski, Aleksandar Naqevski dhe peshkatari Borçe Stefanovski, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailloviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta.

Gjykata e Lartë në dhjetor të vitit të kaluar i hoqi aktgjykimet, i liroi nga paraburgimi të dënuarit Agim Ismailloviq, Haki Aziri, Sami Luta dhe Fejzi Aziri, dhe u caktoi masa kujdesi. Pas pezullimit të aktvendimeve, rastin “Monstra” e mori PSP dhe lënda u kthye në rigjykim.

Baby Boo