“Rasti i Kumanovës”, mbrojtja kërkon rigjykim


Të dënuarit me burg të përjetshëm në rastin e Kumanovës kërkojnë shfuqizimin e vendimit të shkallës së parë dhe të dytë dhe kthim të rastit nga e para. Këtë kërkesë mbrojtja e tyre e ka bërë tek Gjykata më e lartë në shtet, ndërsa sot në seancën publike, avokatët treguan arsyet se përse i kanë ankimuar denimet e Gjykatave Themelore dhe të Apelit. Gjithsej me dënim të përjetshëm në këtë rast janë 7 të akuzuar, ndërsa në sallë kishin ardhur vetëm 4 prej tyre Andi Krasniqi, Dem Shehu, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, nuk ishin të pranishëm, e ky i fundit në njoftimin e tij tek Gjykata, për mos prezencën kishte shkruar se këtë e bënë si formë bojkoti.

Avokati Naser Raufi përmendi përfshirjen e liderit të BDI-së Ali Ahmetit, pasi siç tha ai ka kontaktuar me Mirsad Ndrecaj dhe se ai vetë e ka konfirmuar këtë. Ndërsa, shton se dy klientët e tij, Andi Krasniqi dhe Demë Shehu nuk janë organizatorë të aksionit në Kumanovë, por kanë qenë të ndjerit Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj.

Naser Raufi, avokati i të dënuarëve Andi Krasniqi dhe Dem Shehu
“Poenta ime se përse e përmenda zotëri Ahmetin është që të vërtetoj se klientët e mi Andi Krasniqi dhe Dem Shehu të dënuar me burg të përjetshëm, nuk janë organizatorë të këtij rasti. Vetë Ali Ahmeti në Alsat e ka pranuar se ka folur me Mirsad Ndrecaj. Po të na lejohej ai material të përdorej si provë, do të vërtetoheshte se klientët e mi, nuk kanë qenë organizatorët. Prandaj mendoj se këto dy vendime për burg të përjetshëm janë të pa baza, sepse dihet se kush ka komanduar me aksionin. Ato janë të ndjerit Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj”.

Avokat i Fadil Fejzullahut Lupço Veselinovski e drejton gishtin kah kryetari i shtetit dhe drejtori i DSK-së të cilët siç thotë para se të vijnë në pushtet kanë deklaruar se ka prova të reja për këtë rast dhe se “Lagja e Trimave”, nuk është ashtu siç duket, por tani sipas tij provat e tyre nuk janë askund.

Lupço Veselinovski, avokat i Fadil Fejzullahut
“Edhe presidenti i tanishëm Stevo Pendarovski edhe drejtori i DSK-së, i cili ka deklaruar në televizion se do të siguroj prova të reja dhe ‘Lagja e Trimave’ nuk është ashtu siç duket. Pra ka prova të reja dhe të mos them për secilin që thoshte kështu dhe ato prova tani nuk janë askund. Të procesuohet lëndë e re. Kush janë organizatorët? Mendimi im personal është se organizatorët edhe për këtë edhe për ’27 prillin’, janë të njejtit. Duhet të vërtetohet kush janë porositësit e vërtetë”.

Ndërsa, avokati Mefail Arsllani, i cili mbron Nasuf Beqirin dhe Valdet Zekaj, tha se nëse organizatorët kërkohen vetëm tek këta të akuzuar kjo paraqet problem. Se ata janë manipuluar kjo nuk është vërtetuar, siç nuk është vërtetuar edhe motivi i këtij rasti.
Përndryshe për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015, Gjykata Themelore e Shkupit shqiptoi gjithsej 746 vjet burg për 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës.

Baby Boo