Raporti i OSBE-së për PPS-në, OSBE: kufizimet ligjore rrezikojnë procesin


Megjithatë, OSBE në raportin e saj preliminar konstaton kufizime ligjore dhe mungesë vullneti për bashkëpunim nga gjykatat. Sipas OSBE-së, shumë raste për keqpërdorime nga pushteti ekzekutiv do të mbeten të pazbardhura për shkak se janë jashtë afatit për të ngritur padi.
“Edhe përkundër arritjeve të PPS-së deri tani, kufizimet në kornizën ligjore rrezikojnë procesin e sigurimit të përgjegjësisë për veprat e mundshme penale. Ka të paktën 12 hetime në rrjedhë, fati i të cilëve është i paqartë. Prandaj rekomandohet që të ndryshojë korniza ligjore në harmoni me strategjinë për reforma 2017-2022”,– tha Mishell Princ nga OSBE.
Sfidë kryesore e PPS-së ka qenë sigurimi i masave të sigurisë, pasi shumë gjykatës nuk kanë pasur vullnetin që t’i marrin parasysh kërkesat e PPS-së. Gjykatësit me moral të dyfishtë, për dallim nga rastet e PPS-së, caktojnë masat e paraburgimit për raste të tjera. OSBE rekomandon standarde të njëjta për të gjitha rastet. Vërejtje edhe për kohën e miratimit të padive. Sipas OSBE-së, koha mes parashtrimit të padisë dhe miratimit nga ana e gjykatës mund të konsiderohet si shumë e gjatë dhe kjo mund të ndikojë negativisht në të drejtën për gjykim në kohë të arsyeshme dhe ekziston rrezik që të vijë deri të vjetrimi i lëndës.
Prokurorja publike speciale, Katica Janeva, tha se janë dëgjuar 85 për qind nga bisedat e përgjuara, ndërsa 15 për qind e bisedave që kanë qenë në gjuhë të huaj janë dhënë për përkthim dhe ky proces do të duhet të përfundojë deri në fund të nëntorit.
Sa i përket rastit “Fortesa- Target”, Janeva tha se ka dëshmi se personat të cilët janë të akuzuar kanë përgjuar dhe kjo do të vërtetohet nga ana e gjykatës.
“E dimë se dy nga të akuzuarit janë në arrati, por shpresojmë se gjyqi do ta ndajë procedurën apo do t’i gjykojë në mungesë, që të fillojë kjo lëndë dhe publiku të shohë se si janë keqpërdorur të drejtat personale. Kemi më shumë se 20 mijë njerëz që në mënyrë joligjore janë përgjuar dhe ne atë do ta dëshmojmë në gjyq”,– u shpreh prokurorja speciale, Katica Janeva.
Raporti preliminar i OSBE-së për punën e PPS-së përfshin observimin e 20 proceseve gjyqësore në kompetencë të PPS-së, për të cilat u ngrit aktpadi brenda afatit 30.06.2017. Rastet ndahen në dy grupe.
Grupi i parë ka të bëjë me kushtimisht thënë tre rastet për zbatuesit e përgjimeve dhe grupi i dytë ka të bëjë me incizimet që udhëzojnë në kryerjen e mundshme të veprave penale dhe këtu janë përfshirë 17 rastet e tjera. Raporti përfshin informata edhe për katër rastet që PPS mori nga Prokuroria Publike, si “Puç”, “Sopot”, “Spiun” dhe “Monstra”.