Ramazani, muaj i edukimit shpirtëror


Agjërimi, të cilin Islami e urdhëron si detyrim për muajin e Ramazanit dhe e këshillon për periudha të tjera të vitit, siç tregon edhe Kurani Fisnik, është një praktikë që ekziston në fetë më të lashta dhe Islami e ripërtëriu dhe e institucionalizoi në formën e që ka sot.
Shkruan: Dr. Selver Xhemaili
Në vitin e tetë sipas kalendarit hixhrij,  përkatësisht në muajin Shaban, shpallen ajetet në vijim dhe nëpërmjet tyre bëhet farz/obligohet agjërimi i muajit të Ramazanit: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini. Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (Bakara, 2/183-185)
Devotshmërinë apo takvallëkun,  që përmendet tek ajeti 183 i sures Bekare,  e përmend edhe si qëllim të agjërimit.  Kështu, kemi mundësi ta shohim edhe në adhurimet tjera siç është te namazi, haxhi apo kurbani etj. Si duket ibadeti në përgjithësi këtë cilësi synon ta shndërrojë në një gjendje të përhershme te njeriu, ta bëjë pjesë të identitetit njerëzor, përkatësisht dëshiron të formojë një sistem shpirtëror mbrojtës përballë gjërave të këqija. Pikërisht  agjërimi këtë cilësi,  përkatësisht devocionin e shndërron në një parzmore të sigurt/fortë dhe të shëndoshë. Mu për këtë arsye agjërimi nuk është vetëm një tërheqje nga ngrënia dhe pirja për një kohë të caktuar, por njëkohësisht ai është një edukim për përforcimin e vullnetit të njeriut që të mbrohet nga çdo gjë e keqe dhe e shëmtuar. Nëpërmjet agjërimit ai e ushqen shpirtin dhe zemrën e tij me devotshmëri. Pra, agjërimi nuk është thjesht braktisje e trupit pa ushqim, por më tepër se kjo, ai është ushqimi i shpirtit. Në qoftë se shpirti është më i pa ushqyer se trupi, atëherë te njeriu mbisundojnë joshjet dhe dëshirat trupore. Kjo situatë i përngjan njeriut që ka hipur në qerre kali, ndërsa qerren e tërheq vetë. Agjërimi është një udhëtim i vështirë drejt zemrës. Drejt një qendre ku puqen dashuria dhe urrejtja, refuzimi dhe pranimi. Në këtë rrugëtim fitorja më e madhe është-njeriu ta njohë vetveten. Në fakt, pikërisht ky është edhe qëllimi i agjërimit. Sigurisht,  shprehja leal-lekum tettekun në ajetin e lartpërmendur e ngërthen këtë kuptim. Pra,  të arrijë vetëdijen e përgjegjësisë. Zhvillimi i vetëdijes së përgjegjësisë te njeriu e bën atë të sillet më me përgjegjësi ndaj Zotit (xh. sh.), vetvetes, njerëzve, natyrës dhe të gjitha gjërave që e rrethojnë.
Të agjëruarit gjatë këtij muaji ka shumë avantazhe dhe karakteristika shoqërore,   por shpeshherë virtyti parësor i agjërimit reduktohet vetëm në largim nga ushqimi. Realiteti është se agjërimi është bindja ndaj Vullnetit Hyjnor për të pasur si fryt bamirësinë ndaj të varfërve e nevojtarëve dhe një pjesëmarrje reale në urinë dhe etjen e tyre. Por,  aspekti më i vështirë i agjërimit është tehu i shpatës i vetëpërmbajtjes së drejtpërdrejtë kundër egos. Ndërmjet agjërimit, prirjet rebele të egos epshore qetësohen dhe dalëngadalë paqtohen.
Andaj,  agjërimi, si adhurim që i ka ditët e caktuara dhe të numëruara,  njeriut i falë  shprehi të bukura, thellësi dhe hijeshi në jetë, sepse ngopja pa masë i ndez dëshirat epshore, ndërsa uria, pa u tejkaluar edhe me të, e forcon aftësinë e meditimit dhe përsiatjes. Kjo është edhe arsyeja që kurimi i parë që u jepet njerëzve me sëmundje mendore është dieta. Me gjithë këto bukuri që i ka ky ibadet, përsëri ai duhet të realizohet me ndjesinë e pastër të adhurimit, pasi që ai është një obligim nga Allahu i madhërishëm. Në qoftë se anët pozitive të tij shndërrohen në qëllim,  atëherë më agjërimi nuk konsiderohet më si një adhurim fetar. P.sh. në qoftë se e bëjmë nijet të agjërojmë për t’u dobësuar fizikisht,  atëherë më ai del nga ibadeti dhe shndërrohet në adet. Adhurimet duhet kryer vetëm me synimin që të gëzojmë kënaqësinë hyjnore, prandaj për ta realizuar këtë , është e domosdoshme që zemrat të jenë të ngritura shpirtërisht dhe të shkojnë drejt përsosjes.
Muaji i bekuar i Ramazanit, përkatësisht agjërimi, u ofron mundësinë Myslimanëve që të arrijnë vetëdijen e përgjegjësisë respektivisht devotshmërinë ndaj urdhëresave të Allahut (xh. sh.) në këtë mënyrë duke ngjizur në shoqëri solidaritetin social dhe vetëdijen/ndërgjegjen e dhurimit, pra në një aspekt duke mbajtur seanca të edukimit të dëshirave e formon personalitetin e besimtarit, dhe u tregon atyre rrugët e të qenit një besimtar i përsosur.
Termi “Ramadan” rrjedh nga fjala “er-ramda”,  që ka kuptimin “shiu i cili bie në fund të verës dhe e pastron tokën nga pluhurat”, ose buron nga fjala “er-ramad” me kuptimin “nxehja apo djegia e gurëve nga rrezet e diellit”.  Ashtu sikur ky shi që e pastron tokën; apo, ashtu siç ua djeg  këmbët atyre që ecin mbi vendin e nxehur, po ashtu edhe muaji i Ramazanit i pastron, i djeg dhe i zhduk njollat e  mëkateve nga besimtarët.
Pastrimi nga mëkatet hap dyert për vitalizimin e shpirtit. Një zemër e pastër nga mëkatet dhe me shpirt të kulluar,  ka mundësi ta gjallërojë dhe ta nxisë edhe trupin drejt mirësive dhe urtësive sublime. Vdekja për shpirtin thjesht është një alegori, ndonëse shpirti nuk vdes, por e mbysin, e dërrmojnë mëkatet.  Në fakt,  edhe vete vdekja asgjë nuk është tjetër,  përveçse një ndryshim i jetës,  një transferim në jetën tjetër. Pra,  vdekja nuk është zhdukje,  por është transferim. Nëse trupin e privon nga ushqimi,  si rezultat i saj merr  fund jeta dhe trupi varroset në dhe. Nëse shpirtin e  privon nga ushqimi shpirtëror,  venitet dhe varroset në trup. Një trup që është bërë varrë për shpirtin në agjendën e vet nuk planifikon punë tjetër përveçse lëvizje për ushqim, fjetje, vende pune  dhe tualet. Një qenie njerëzore që rrotullohet vetëm në këtë rreth,  thjesht jeton vetëm jetën biologjike dhe nuk ka asnjë dallim nga qeniet tjera. Jeta e këtillë nuk përjeton ndonjë thellësi dhe kënaqësi shpirtërore. Nga kjo situatë e errët mund të ndriçohen ata të cilët vetëdijesohen për nevojën e ushqimit shpirtëror dhe ndiejnë etje për të.
Pejgamberët e luajnë rolin e orientuesit drejt sofrës me ushqime shpirtërore. Ndërkaq, shpallja/vahji është vetë sofra e madhe shpirtërore. Nga kjo sofër njeriu mëson çka duhet të hajë dhe çka jo, çka do t’ia zbardhë jetën e çka mund t’ia nxijë. Andaj,  duke u thelluar në këtë sofër,  fiton njohuri për vetë ekzistencën, për jetën dhe për vetveten. Nëpërmjet Shpalljes e njeh edhe pronarin e saj. Madje,  nga frymëzimi prej saj e ndriçon shpirtin, mendjen, vetëdijen, perceptimin dhe të kuptuarit. Kjo dhunti i zbriti njeriut pikërisht në muajin Ramazan,  edhe atë duke filluar me urdhrin lexo!. Kalimi i muajt Ramazan me agjërim është manifestimi i ditëlindjes së Kuranit,  por njëkohësisht është manifestim i çlirimit të shpirtit nga varri i quajtur trup. Në fakt,  ajo që e bën këtë muaj të privilegjuar dhe të vlefshëm,  është zbritja e librit të fundit – udhëzues për njerëzinë, pra shpallja  Kuranit fisnik.
Ja, përse agjërimi nuk përfshin vetëm të përmbajturit nga ushqimi,  por edhe nga çdo formë  luksi e pasioni epshor. Si rezultat i këtij kufizimi sistematik, shpirti njerëzor e kupton se është  i pavarur nga mjedisi i afërt natyror dhe ndërgjegjësohet që ndodhet në këtë botë, por nuk i përket atij. Një agjërues fiton shumë shpejt vetëdije se në këtë botë është vizitor dhe se është krijuar si qenie e paracaktuar për një synim që ndodhet përtej kësaj ekzistence materiale. Po ashtu, agjërimi është veshje me mburojën e pastërtisë kundër pasioneve të dynjasë. Gjatë agjërimit njeriu kujton faktin se ka zgjedhur t’i afrohet Zotit e t’i largohet botës së pasioneve. Individi, dhe përmes tij e tërë shoqëria islame, rinovohet nga ky ibadet, që i kujton detyrat dhe objektivat morale e shpirtërore. Ai i ofron shpirtit një burim energjie nga i cili ai ushqehet gjatë tërë vitit.
Gjatë tërë muajit të Ramazanit myslimanët si shoqëri me entuziazëm të thellë,  përjetojnë dendësinë e adhurimeve. Për shkak se Ramazani është një periudhë e bekuar dhe frytdhënëse e edukimit që u është dhuruar myslimanëve, me qëllim që ta përforcojnë edhe më tepër diturinë, besimin, adhurimin, moralin, solidarizimin mes vete dhe vëllazërinë e tyre. Myslimani në këtë periudhë kohore shqyrton dhe rishikon raportet e tij me Zotin (xh. sh.), me shoqërinë dhe me vetveten. Pas një aktiviteti intensiv dhe të bujshëm edukues, që vazhdon një muaj të tërë ditë e natë, ai del nga ky muaj më i fortë dhe më i pastër. Në lidhje me këtë i dërguari i Allahut (a. s.) në një hadith ka thënë: “Kur hyn nata e parë e Ramazanit,  shejtanët dhe xhindet e tërbuara lidhen me zinxhirë, mbyllen dyert e xhehenemit dhe asnjëra nuk hapet. Hapen dyert e xhenetit dhe asnjëra nuk mbyllet. Pastaj një engjëll (melaqe) thërret në këtë mënyrë: O ti që kërkon mirësi, eja në adhurim dhe ibadet! O ti që kërkon ligësi,  largohu nga mëkatet! Në këtë muaj sa e sa persona ka që Allahu i liron nga zjarri dhe kjo përsëritet gjatë tërë muajit të Ramazanit.”
Sipas asaj që e përcjell Ebu Hurejra (r. a.), i dërguari i Allahut (s.a.v.s.), pa dhënë ndonjë urdhër të caktuar, i këshillonte dhe inkurajonte njerëzit që t’i vlerësojnë netët e Ramazanit me adhurime të ndryshme. Andaj thoshte: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit me besim dhe duke llogaritur shpërblimin vetëm nga Allahu (xh. sh.), (atij) i falen mëkatet e së kaluarës.” Megjithatë, në këtë rast e shohim të arsyeshme ta përmendim edhe këtë fakt se i dërguari i Allahut (a. s.) muajin e Ramazanit nuk e ka kaluar vetëm me adhurime. Për shembull, për luftën e parë në Islam,  përkatësisht Betejën e Bedrit, janë filluar aktivitetet në vitin e dytë Hixhri pikërisht në muajin Ramazan, dhe në ditën e shtatëmbëdhjetë të Ramazanit është zhvilluar Lufta e Bedrit. Ndërsa në vitin e tetë hixhrij,  në ditën e trembëdhjetë të muajit Ramazan, myslimanët në krye me Pejgamberin (a. s.) janë nisur në rrugë për çlirimin e Mekës. Në këtë mënyrë dy ekspeditat më të rëndësishme në jetën e Pejgamberit (a. s.), janë përjetuar pikërisht në muajin e Ramazanit.
 Nga cilido aspekt që ta analizojmë këtë muaj, për besimtarin ai paraqet një stinë të mbjelljes, është një klimë e pastrimit material dhe shpirtëror. Prandaj,  për një person i cili e arrin muajin e Ramazanit,  por nuk e kupton vlerën dhe çmimin e tij,  do të jetë një rast i humbur,  madje mund të jetë një fatkeqësi,  saqë këto realitete të Dërguarin – mëshirë për botët – e detyrojnë të thotë: “Atij që hyn në muajin i Ramazanit dhe e plotëson këtë muaj pa i shlyer mëkatet,  i raftë hunda në tokë!”
Muaji i Ramazanit është shpëtim, mirëqenie, qetësi, paqe, rahati, pjekuri, vëllazërim, solidarizim dhe shpërndarje e dhurim dhuntish. Ky muaj është momenti që i pasuri duke agjëruar e kupton të varfërin, qoftë edhe pjesërisht e përjeton gjendjen e tij. Muaji i Ramazanit, përkohësisht duke qëndruar larg nga ngrënia dhe pirja e dhuntive të ndryshme, na mundëson që ta kuptojmë vlerën e tyre dhe na përkujton përgjegjësinë e falënderimit ndaj dhuruesit të këtyre mirësive,  pra ndaj Allahut të madhërishëm. Gjithashtu,  ky muaj është mundësia më e mirë që t’u jepet fund shprehive të këqija dhe shansi më i mirë që të hapen faqe të reja ndaj të mirës dhe të bukurës. Përjetimi i Ramazanit përplot me një ndërgjegjësim dhe vetëdije të këtillë do të mundësojë që muajt në vijim,  madje i tërë viti,  të kalohet me sukses dhe efikasitet të bujshëm. Është një periudhë e qetësisë në të cilën hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit, lidhen shejtanët dhe në shoqërim zvogëlohet shkalla e krimit dhe e problemeve të ndryshme. Është një shkollë ku aplikohet një program mujor intensiv,  ku edukohen dëshirat dhe vullneti i njeriut dhe nëpërmjet këtij programi mësohen rrugët e devotshmërisë, të falënderimit dhe të përsosmërisë.
Në kohën në të cilën jetojmë, pra koha moderne me të gjitha elementet joshëse të saj e shtyn njeriun drejt një gjendje të tillë,  që për pasojë njeriu të harrojë vetveten, të largohet nga qëllimi i krijimit të tij. Njeriu që harron vetveten,  nuk mund ta përmbajë veten nga joshjet e dynjasë. Ndërsa ai që nuk e përmban veten dot, do të thotë është i humbur. Në fakt,  gjatë tërë jetës njeriu nëse pëson diçka,  pëson nga jopërmbajtja e vetvetes. Shpeshherë njeriu vuan nga mospërmbajtja e gjuhës, e dorës, e epshit, e zemërimit, e urrejtjes etj.  Prandaj,  të mbash Ramazan,  do të thotë të (për) mbash veten (nën kontroll). Ai që është i përmbajtur në Ramazan,  në fund të tij përjeton Bajram (festë). E gjithë urtësia e agjërimit dhe Ramazanit na mëson që në jetën e përditshme të jemi të vetëdijshëm dhe të përmbajtur. Kush arrin ta ketë të përmbajtur (me ramazan) jetën në këtë botë, ahiretin e vet ai do ta ketë Bajram.
Dhe, ashtu si çdo ditë e numëruar, edhe këto ditë gëzimi kalojnë shpejt. Për myslimanin i cili nuk e di se sa muaj të Ramazanit do të arrijë të përjetojë gjatë tërë jetës, namazi i fundit i teravisë, syfyri i fundi dhe iftari i fundit shndërrohen në një dëshpërim përvëlues. Njësoj si haxhilerët kur ndahen me lot në sy nga klima e vendeve të shenjta, edhe kësaj periudhës së bekuar me të njëjtat ndjenja dhe emocione i thuhet ‘lamtumirë’. Ramazani përcillet me këndimet e hoxhallarëve nëpër xhami të ndryshme, zërat e bukur të të cilëve tingëllojnë:  “Elveda ja shehr-i Ramadan.” Besimtarët i thonë lamtumirë këtij muaji, me një anë të pastruar, të mbrojtur nga mëkatet, me shpresë se kanë fituar mjaft shpërblime/sevape dhe nga ana tjetër,  me drojë se a thua, vallë, do ta arrijnë Ramazanin tjetër.
Baby Boo