Rama: Nuk jam tradhtar, nuk heq dorë nga “Ballkani i Hapur”


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një shkrimi të gjatë në rrjete sociale shkroi për marrëdhëniet e krijuara me Kosovën dhe iu përgjigj komentuesve që një ditë më parë e quajtën “tradhëtar” kur ai postoi një fotografi me dy fitueset e medaljes së artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” nga Kosova, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.

“Biseda me vajzat e me trainerin dhe miqtë që i shoqëronin, ishte frymëzuese dhe me disa ide të bukura bashkëpunimi, që dakorduam t’i zhvillojmë së bashku. Kur kërkuan të dilnim edhe në fotografi, u thashë ‘Po unë jam tradhtar, s’dua t’ju hap telashe!’”, shkruan Rama.

Ai tha se “ushtria digjitale e kinse patriotëve matanë kufirit, që të sharat e mallkimet i kanë armët e tyre të luftës qorre të shqiptarit me shqiptarin dhe që s’po dinë hiç çka t’i bëjnë gomarit e po i bien samarit, u lëshua uturishëm në lumin e komenteve të postimit tim”, duke iu referuar komentuesve nga Kosova që e kritikuan Ramën për “afërsi me Serbinë “.

Rama u rikujtoi ndjekësve të tij se dhe atyre që e “gjetën tradhëtarin te ai” se ishte vetë ai që në mes të Beogradit foli me zë të lartë për njohjen e Kosovës nga Serbia dhe tha se “sikur të tërë ta mbronin njohjen e Kosovës në gjuhë të huaj të paktën siç e mbroj unë, kudo e kurdoherë, sot Kosova do të ishte shumë më e respektuar ndërkombëtarisht”.
Kryeministri i bëri shkak këto komente për të shkruar edhe për refuzimin e Kosovës që të jetë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”, që deri disa javë më parë njihej si mini-Shengeni Ballkanik, duke thënë se kjo retorikë nuk i shërben Kosovës dhe diplomacisë së saj.

“Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan”, tha kryeministri.

Baby Boo