Rama: “Në Shqipëri është rritur prodhimi i grurit”


“Flitet për një dimër të vështirë dhe mungesa të mëdha“

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë një konference këtë të martë, se sot flitet për një dimër të vështirë përpara dhe mungesa të mëdha. Kreu i qeverisë tha se këto mungesa pritet të ndikojnë sidomos në disa zona të botës, por Shqipëria nuk përfshihet për momentin.

“Kriza që ne sot kemi përpara syve tanë është një krizë që as nuk e kemi krijuar ne, as nuk e ndalojmë dot ne. Është një krizë botërore. Sot flitet për një dimër shumë të vështirë përpara, flitet për mungesa të mëdha, sidomos në disa zona të botës, ku ne nuk përfshihemi për momentin… ashtu sikundër me rritjen e çmimeve të naftës, energjisë”, u shpreh Rama.

Deklaratën, kreu i qeverisë e bëri gjatë një konference ku po flitet për teknologjinë dhe inovacionin në bujqësi dhe blegtori. Kreu i qeverisë u shpreh se eksportet bujqësore shqiptare janë rritur nga Janari në Maj. Ndërkohë shtoi se për shkak të situatës me grurin, është rritur prodhimi në Shqipëri. Megjithatë, kreu i qeverisë tha se mund të bëhet shumë më tepër.

“Ju e mbani mend të gjithë që në fund të vitit të kaluar u fol për fundin e bujqësisë shqiptare. U fol për apokalipsin. Por çfarë ka ndodhur? Nga Janari në Maj eksportet tona janë rritur. Janë rritur në vlerë dhe disa thonë sepse janë rritur çmimet. Por janë rritur edhe në volum. Në volum janë rritur me +23%. Pikërisht sepse jemi në një kohë ku ka një pikëpyetje me grurin është rritur prodhimi i grurit në Shqipëri dhe shumë cilësor. Sot jemi në kushtet ku mund të synojmë për shumë më tepër”.

Kryeministri Rama e vuri theksin tek dija, pasi sipas tij, në sektorin e bujqësisë luan një rol kyç. Shembull mori fermerët që kultivojnë qershinë. Sipas kreut të ekzekutivit, brenda Shqipërisë ka dy realitete të ndryshme. Kjo pasi ka fermerë që fitojnë shumë të ardhura nga shitja e qershive, por ka edhe nga ata që i hedhin në tokë pasi nuk i shesin dot. Por çfarë duhet të bëjnë këta fermerë duke qenë se shteti është i njëjtë për të dyja palët?

“E para ata fermerë duhet të marrin mundimin dhe të shkojnë ata të tjerë dhe të thonë si e bëni ju këtë. Dhe e dyta i takon ministrisë së Bujqësisë që të ndërtojë këto ura komunikimi dhe kanale informacioni për të transferuar dijen e krijuar nga njerëzit në territor”, u shpreh Rama./tvklan.al

Baby Boo