Rama: Deti ynë nuk është më i Kosovës veç për turizëm, por edhe për tregti


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kosovarët detin mund ta përdorin edhe për punë.

“Ja ku ka nisur edhe zhdoganimi në Portin e Durrësit për mallrat me destinacion Kosovën dhe deti ynë nuk është më edhe i Kosovës veç për turizëm, po është edhe i Kosovës për tregti”, ka thënë Rama në rrjetin social Facebook.

Ndërkohë, sot gjatë ditës, në Shqipëri ka qëndruar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ku e ka vizituar Portin e Durrësit, dhe ka thënë që zhdoganimi i mallrave nga këtu “ia mundëson ekonomisë sonë qasjen në det”.

“Ne jemi një komb, një popull e aq më tepër shtohet kënaqësia kur vijmë për punë të mira siç është kjo e heqjes së barrierave që na ndajnë. Kjo që po bëjmë sot është vetëm një materializim i asaj që e kemi bërë tash e sa muaj punë që është bërë nga dy ekipet: nga dogana e Shqipërisë dhe zyrtarë të doganës së Kosovës”.

Murati ka thënë që Dogana e Kosovës që nga viti 2019 ka qenë prezente në portin e Durrësit.

“Dogana e Kosovës që nga viti 2019 ka qenë prezente në portin e Durrësit, por deri tani është bërë vetëm regjistrimi për hyrjen e mallrave, por me përkushtimin dhe punën e vazhdueshme është arritur që nga data 1 tetor të kemi zhdoganimin e plotë të gjitha mallrave që kanë destinacion Kosovën. Kjo qasje mundëson që ekonomia e Kosovës të ketë qasje në det”, tha ai./KlanKosova.tv/

Baby Boo