Rajoni vazhdon lehtësimin e masave, Shqipëria paralajmëroi hapjen e kufijve


Rajoni vazhdon lehtësimin e masave. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama paralajmëroi rihapjen e kufijve brenda muajit.

“Brenda majit Shqipëria do të jetë e hapur tërësisht. Kufijtë e Shqipërisë do të jenë të hapur dhe ne do të përgatitemi për sezonin turistik. Duke u përgatitur ne vetë, që në rast se vjen një valë më e rëndë, po jua them sot, sesa ajo që kaluam, edhe për ne e edhe sikur të përsëriten të njëjtat gjëra, sidoqoftë, ta përballojmë përsëri me atë dinjitet dhe seriozitet” – tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Greqia prezantoi planin për rimëkëmbjen e turizmit. Nga 1 korriku turistët do të mund të hyjnë pa test për koronavirus e as izolim të detyruar. Parashikohet rritja e kapacitetit shëndetësor në destinacione të ndryshme turistike dhe një plan operativ për infeksione eventuale. Për të mbrojtur bizneset, qeveria greke paralajmëroi shkurtim të taksave për biletat e transportit, kinematë e hapura, kafenë dhe pijet tjera jo-alkoolike.

Bullgaria nga 22 maji do të lejojë aktivitetet sportive në ambiente të mbyllura, por të njëjtat nuk do të kenë natyrë garuese dhe do të zhvillohen pa publik.

Nga Qendra Evropiane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se nuk është koha për relaksim pasi vala e dytë e virusit nuk është teori. Ndërkohë një raport i publikuar nga UNDP tregon se shkaku i pandemisë, për herë të parë që nga viti 1990 do të ketë rënie të zhvillimit njerëzor, përfshirë standardin arsimor, shëndetin dhe jetesën. Pos humbjeve të mëdha shëndetësore e ekonomike në gjithë botën, pritet të rritet hendeku arsimor mes shteteve të pasura dhe atyre të varfra pasi momentalisht rreth 86% e filloristëve në shtetet e varfra nuk po ndjekin mësim, krahasuar me vetëm 20% në shtetet e pasura./Alsat

Baby Boo