Qeveria më transparente se komunat


Ekspertët thonë se mungesa e transparencës buxhetore duhet të adresohet nga komuna si një çështje parësore, pasi përdorimi transparent i financave publike është një parakusht thelbësor për shpërndarjen e shërbimeve publike dhe krijimit të besimit në mes të përfaqësuesve komunal dhe qytetarëve

Shkup, 24 qershor – Transparenca e punës apo llogaridhënia e ministrive, qeverisë dhe komunave në Maqedoninë e veriut edhe në vitin 2019 , përkundër rritjes së nivelit në raport me vitin 2018, megjithatë mbetet në nivel të ulët. Sipas analizave të Qendrës për Komunikime Qytetare, përqindja e plotësimit të obligimit nga publikimi proaktiv i informacioneve , tek 97 institucione është 56 për qind nga 100 të mundshmet, ndërsa në raport me një vit më parë kur ishte 43.5 për qind, është rritur për 12.5 për qind, shkruan gazeta KOHA.

Renditja është kryer sipas Indeksit të transparencës aktive që nënkupton publikimin e informacioneve me iniciativë vetanake të institucioneve, pa kërkese paraprake për qasje ndaj këtyre informacioneve. “Vitin e tretë me radhë po rritet publikimi i informacioneve të ministrive, ndërsa në rritje është edhe transparenca e komunave që pas përkeqësimit dyvjeçar shënojnë përmirësim të transparencës aktive.“, thonë nga Qendra për Komunikime Qytetare.

Prej atje shtojnë se në transparenca mesatare e totalit të informacioneve të llojeve të ndryshme është 77.6 për qind tek ministritë dhe afër 52 për qind tek komunat. “ Edhe komunat edhe ministritë, më dobët qëndrojnë me publikimin aktiv të llogaridhënies buxhetore dhe fiskale , ku prej 100 për qind të mundshmet , komunat plotësojnë vetëm 25 për qind , ndërsa ministritë 26 për qind të obligimeve për publikim aktiv të informacioneve”, tregon analiza. Lidhur me përgjigjet ndaj kërkesave për qasje të lirë ndaj informacioneve me karakter publik, që ju janë dërguar në të njëjtën ditë dhe me përmbajtje të njëjtë, komunat janë përgjigjur në mesatare për 21 ditë në raport me 20 ditë në vitin e kaluar, ndërsa ministritë për 34 ditë në raport me 41 ditë në vitin e kaluar.

Sipas të dhënave, Manastiri dhe Velesi mbajnë vendin e parë dhe të dytë për transparencë shumë të mirë. Pasojnë me transparencë të mirë Ministritë e Arsimit dhe Mbrojtjes, Kriva Pallanka , Ohri Strumica, Gjevgjelia, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Ekonomisë etj. Në ndërkohë , lidhur me tetë rajonet në shtet, më dobët lidhur me transparencën qëndrojnë rajoni i Pollogut dhe i Shkupit, ndërsa më mirë qëndrojnë rajoni Lindor dhe ai i Pellagonisë.

Ndryshe, ekspertët thonë se mungesa e transparencës buxhetore duhet të adresohet nga komuna si një çështje parësore, pasi përdorimi transparent i financave publike është një parakusht thelbësor për shpërndarjen e shërbimeve publike dhe krijimit të besimit në mes të përfaqësuesve komunal dhe qytetarëve. (koha.mk)

Baby Boo