Qeveria Kurti, theu paragjykimet ndaj grave


Për herë të parë në histori, në Qeverinë e Kosovës, pesë ministri do të udhëhiqen nga gratë.
Kjo është barazia gjinore për herë të parë në Qerverinë e Kosovës. Me 66 vota për dhe 10 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës të hënën e kanë votuar Qeverinë e re, e cila do të udhëhiqet nga Albin Kurti.
Votimi i Qeverisë së Kosovës u bë pas arritjes për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Qeveria Kurti” do të ketë 15 ministri, gjashtë do t’i takojnë Vetëvendosjes dhe gjashtë LDK-së, ndërkaq tri ministri janë për komunitetet joshumicë në Kosovë.
Mirëpo, për herë të parë në histori të Kosovës, pesë gra do të udhëheqin me dikastere të ndryshme.
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje është ministre e Drejtësisë, e bashkëpartiakja e saj, Rozeta Hajdari, do ta drejtojë Ministrinë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.
Ndërkaq, dy dikastere të tjera do të udhëhiqen nga dy gra të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Vlora Dumoshi do të jetë ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa Hykmete Bajrami, do të jetë ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Në krye të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal do të jetë Emilia Rexhepi nga Grupi 6+.
Emërimi i pesë grave si pjesë e kabinetit qeveritar, është mirëpritur nga shoqëria civile.
Donika Emini, drejtoreshë Ekzekutive të Platformës CiviKos ka thënë se emërimi i pesë grave në krye të ministrive të ndryshme është moment historik, por që sipas saj, emërimi i tyre nuk ka të bëj me përmbushjen e kuotës gjinore, por për shkak të aftësive të tyre.
“Përbërja e qeverisë së re është unike, jo vetëm për shkak të një fryme dhe gjenerate kryesisht të re politike, por edhe për përfaqësimin më të lartë të grave në pozita udhëheqëse. Për herë të parë, një numri i konsiderueshëm i grave që kanë hyrë në Parlament janë aty për shkak të numrit të madh të votave, e shumë më pak për shkak të lehtësimit që sjell kuota e përfaqësimit gjinor. Ky trend është reflektuar shumë mirë edhe në qeveri, ku për herë të parë nuk kemi qeveri me vetëm një grua – e cila simbolitikisht ishte vendosur aty për të ‘diversifikuar’ përbërjen e qeverisë. Sot në qeveri nuk kemi gra që janë aty për shkak të përmbushjes së kuotës, mirëpo kemi gra të cilat kanë bagazh, ekspertizë, dhe kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm në Kosovë në sfera të ndryshme”, u shpreh Emini.

Sipas saj, edhe zgjedhja e Vjosa Osmanit në krye të Kuvendit të Kosovës është një lajm shumë i mirë, pasi që këtë post siç u shpreh Emini e ka marrë gruaja më e votuar.
“Në këtë trend pozitiv nuk përfshihen vetëm ministritë, por edhe pozita e kryeparlamentares në të cilën ulet gruaja më e votuar dhe mbështetur në Kosovë. Ky përfaqësim është në linjë me trendin e vendeve perëndimore të cilat kanë gravituar në përfaqësim 50/50 si ajo e Kanadasë, e disa raste si Finlanda edhe të udhëhequr dhe dominuar nga gratë. Normalisht, ky emancipim do të reflektojë pozitivisht në perceptimin e Kosovës nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtar”, tha Emini.
Tutje sipas Eminit, me këto veprime që kanë bërë partnerët e koalicionit qeverisës janë thyer paragjykimet e instaluara në shoqërinë kosovare.

“Mbi të gjitha, kjo qeveri në Kosovë ka thyer dy stereotipe të instaluara thellë në shoqërinë tonë, dhe ka dëshmuar që qeveria mund të përbëhet nga të rinj profesional dhe gra. Kjo, mbi të gjitha, pothuajse reflekton edhe përbërjen e popullsisë në Kosovë dhe tenton të përfaqësojë çdo segment të shoqërisë tonë denjësisht sipas përbërjes së popullsisë e jo sipas rajoneve siç është bërë deri tani me mendësi provinciale”, theksoi Emini.
Në anën tjetër, edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka mirëpritur vendimin e “Qeverisë Kurti” për emërimin e grave në krye të ministrive si dhe zgjedhjen e Osmanit në postin e kryeparlamentares.
RrGK thotë se zgjedhjet e parakohshme që u mbajtën më 6 tetor të vitit të kaluar, ka shënuar edhe numrin më të madh të grave që arritën të fitojnë ulëse në Kuvend.
RrGK ka kërkuar nga partnerët e koalicionit qeverisës që edhe në emërimin e zëvendësministrave të zbatohet Ligji për Barazi Gjinore dhe të emërohen edhe gratë në këtë post.

“Jemi dëshmitarë të fuqizimit politik të grave në shoqërinë kosovare, prandaj qeveria e sapoformuar duhet të jetë shtysë në përmirësimin e pozitës së gruas kosovare, e rrjedhimisht të gjithë shoqërisë. Sado që kjo qeveri ka më shumë gra ministre në krahasim me qeveritë e kaluara, presim që në emërimin e zv. Ministrave të arrijnë të zbatojnë LBGj-në. Duke ndjekur me interes të shtuar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e grave në zgjedhjet parlamentare të parakohshme të 6 tetorit 2019, e rrjedhimisht edhe në qeverinë e re, RrGK përmes kësaj letre shpreh shqetësim që dy partitë e koalicionit nuk kanë respektuar Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj), me rastin e emërimit të kabinetit të ekzekutivit. Ky ligj garanton barazi ndërmjet gjinive (50/50), si kusht i zhvillimit të një shoqërie demokratike ku burrat dhe gratë kanë mundësi krejtësisht të barabarta në sferën politike dhe publike”, thuhet në reagim.
Ndër çështjet e rëndësishme që RrGK pret që koalicioni LVV-LDK të angazhohet në fillim të qeverisjes së tyre janë: të balancojë pjesëmarrjen e grave dhe të burrave në vendimmarrje; të rishikojë Ligjin e Punës sipas direktivave të Bashkimit Evropian (BE) për balancin punë-jetë; të rishikojë Ligjin e Punës dhe përveç pushimit të lehonisë dhe atij prindëror, të futet edhe pushimi atësor, në pajtim me direktivat e BE-së të adapotuara në Kosovë; të përmirësojë kushtet e punës, me theks të veçantë të luftojë diskriminimin me bazë gjinore në punësim; të zbatojë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor sipas LBGj-së; të krijojë një linjë buxhetore të përhershme për strehimoret e Kosovës.

Baby Boo