Qendra klinike “Nënë Tereza”, mbeturinat pastrohen në bazë vullnetare


Qendra klinike “Nënë Tereza” në Shkup është e mbushur me mbeturina, të cilat nuk ka kush t’i pastrojë me ditë të tëra. Drejtori i Ndërmarrjes Publike të Higjienës Komunale, Abdylsamed Shabani, thotë se klinika i ka borxh kësaj ndërmarrje mbi 30 milion denarë, por për të mos lejuar grumbullimin edhe më të madh të mbeturinave, ata shpeshherë pastrojnë vullnetarisht.

“Ne si higjienë komunale, së bashku me ndërmarrjet tjera, shpeshherë vullnetarisht kemi qenë aktivë për të pastruar mbeturinat në klinikë, ku duhet çdo ditë të pastrohet, e jo vetëm ne kur marrim aktivitete një herë në javë ose një herë në muaj. Këtë problem duhet ta zgjidhin ata vetë si klinikë, sepse klinika ndërmarrjes tonë i ka borxh mbi 30 milion denarë, por kur kanë pasur nevojë ne prapë u kemi dalë në ndihmë”,- u shpreh drejtori i NP “Higjiena Komunale”, Abdusamet Shabani.

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëron se së shpejti do të nënshkruajnë marrëveshje me “Higjienën Komunale” për t’i dhënë fund këtij problemi.

“Problemi qëndron se ingerencat janë hedhur prej një vendi në vendin tjetër. Ne jemi në bisedime për ta gjetur një zgjidhje që këto ingerencat t’i marrë shërbimi i “Higjienës Komunale”. Nuk duam që të nënshkruajmë tendere me kompanitë private kur të hollat mund të shkojnë te ndërmarrjet publike. Shpresoj që së shpejti do të gjejmë një zgjidhje dhe vazhdimisht mbeturinat do të pastrohen nga Ndërmarrja Publike “Higjienës Komunale’”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Këtë deklaratë ministri Filipçe e bëri me rastin e hapjes së kabinetit për ushqim klinik, apo ushqim artificial në Klinikën Universitare për gastroenterohepatologji. Po ashtu klinika me mjetet e fondit për sigurim shëndetësor ka siguruar edhe kapsula të reja endoskopike.

Baby Boo