“Shqipëria, një vend i pazakontë me politikanë të pazakontë”


“Një vend i pazakontë me politikanë të pazakontë, tani kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian”. Me këtë titull, revista Forbes nis një artikull kushtuar Shqipërisë.

“Kryeministri i Shqipërisë na u shfaq në zyrën e tij për intervistën me ne i veshur, siç e quajti ai, me rrobat e pikturës, një bluzë dhe një xhaketë jeans”, nis shkrimi i revistës prestigjoze.

Më tej flitet për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, duke kujtuar që aplikimi është bërë në vitin 2009, ndërsa marrja e statusit kandidat në vitin 2012. Forbes kujton gjithashtu edhe pesë prioritetet kyçe të vendosura nga Brukseli, ndërsa thekson se pas rekomandimit të Komisionit, kërkohet vota unanime e 28 vendeve anëtare për hapjen zyrtare të negociatave.

Për Forbes, Kryeministri Edi Rama shprehet i bindur dhe tregon jo pa krenari arritjet e Qeverisë së tij.

“Kemi nisur procesin e vettingut dhe deri më tani 17 gjyqtarë e prokurorë janë larguar. Njëri prej tyre u largua sepse nuk justifikonte pasurinë”, kujton Rama.

Artikulli vijon duke thënë se prodhimi i hashashit është reduktuar ndjeshëm dhe se vendi po shikon agro-kultura nga agro-turizmi dhe përmend këtu grantin e përbashkët prej 40 milionë eurosh mes Bashkimit Europian dhe BERZH-it për zhvillimin e këtij sektori.

“Shqipëria ka çfarë ofrojë për të gjitha format e turizmit”, thotë Forbes, që më pas cek problematikat.

“Shqipëria ka një klimë mesdhetare dhe një vijë bregdetare të madhe në Adriatik e Jon, male të larta dhe tri zona të mbrojtura nga UNESCO. Por, turizmi penalizohet nga mungesa e hoteleve të luksit, ndotja e plazheve dhe një sistem transporti efikas. Të gjitha këto janë detyrat e shtëpisë të Ramës”, shton Forbes.

Sa i takon transportit, Rama përmend ngritjen këtë verë të kompanisë së fluturimeve “Air Albania”, shtimin e numrit të fluturimeve me vendet perëndimore dhe të rajonit, si dhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Autorja Shellie Karabell kujton se jo të gjithë shqiptarët ndajnë të njëjtin entuziazëm si Kryeministri Edi Rama sa i takon të ardhmes.

“Nga bisedat informale me shoferët e taksive dhe tregtarët, pyetjes se si e shihnin gjendjen e vendit i mora thuajse të njëjtën përgjigje; politikanët janë të korruptuar, paguajmë shumë taksa dhe për çfarë? Infrastruktura është një katrahurë”, vijon shkrimi.

Këtë formë “zemërimi”, thotë Forbes, Rama e provoi ehde në Parlament, kur deputetët e opozitës i hodhën miell, ujë dhe vezë. Rama e pranon se politika shqiptare ka “gjallëri”, ndërsa nuk përjashton mundësinë që të jetë larguar nga politika para se vendi të anëtarësohet.

“Tani jam një politikan! Mund të garoj në zgjedhje për të gjitha vitet që më mbeten, por nuk është ajo që unë dua. Anëtarësimi në Bashkimin Europian do të marrë më shumë kohë nga sa unë dua të kaloj në politikë”, thotë Kryeministri.

Baby Boo