Pse koronavirusi u përhap me të madhe në disa vende të botës, ndërsa në disa tjera jo


Koronavirusi ka prekur gati çdo vend të botës, por ndikimi i tij është i ndryshëm. Kryeqytetet e botës si Nju Jorku, Parisi, Londra u shkatërruan nga virusi, ndërsa në qytetet e mbipopulluar si Bangkoku, Bagdadi, Nju Delhi, dhe Lagosi virusi nuk është përhapur.

Shkencëtarët në të gjithë botën po përpiqen të gjejnë pse koronavirusi godet më shumë një vend se sa një tjetër edhe pse këto vende mund të jenë afër njëra-tjetrës.

Ka shumë studime në të gjithë botën që po studiojnë demografinë, sëmundjet e hershme të popullsisë dhe faktorët gjenetikë, të cilat mund të ndikojnë në nivelin e përhapjes së virusit në vende të ndryshme.

Doktorët të cilët studiojnë sëmundjet infektive në të gjithë botën thonë se nuk kanë mjaftueshëm të dhëna për të ndërtuar një pikturë të plotë epidemologjike, dhe boshllëqet në informacion në shumë vende e bëjnë të rrezikshëm nxjerrjen e përfundimeve. Testimet nuk bëhen njësoj në çdo vend dhe numrat e të vdekurve shpesh numërohen më pak.

Intervistat e kryera nga Nju Jork Times me më shumë se disa dhjetra ekspertë, mjekë, epidemologjistë dhe akademik në të gjithë botën sugjerojnë disa faktorë që mund të ndihmojnë në shpjegimin se ku ka më shumë mundësi të përhapet virusi. Ndër faktorët më të rëndësishëm janë:

Popullsia e re në moshë

Shumë nga vendet të cilat i kanë shpëtuar përhapjes masive të epidemisë kanë një popullsi të re në moshë. Moshat e reja e kalojnë virusin pa simptoma ose me simptoma të lehta, që janë edhe më pak të transmetueshme tek të tjerët.

Dhe ata kanë më pak gjasë atë kenë sëmundje shoqëruese të rënda të cilat përkeqësohen nga koronavirusi.

Sëmundjet ekzistuese

Popullsia e shëndetshme preket më pak nga virusi, në krahasim me ata që vuajnë nga hipertensioni, diabeti dhe obeziteti. Japonia është një nga vendet me popullsinë më të plakur në botë, por ka raportuar vetëm 520 të vdekur, kjo për shkak të popullsisë së shëndetshme.

Kultura e distancimit social

Faktorët kulturorë, si distancimi social që janë pjesë e kulturës së një vendi kanë mbrojtur qytetarët nga përhapja e virusit. Në Tajlandë dhe në Indi ku shifrat e të prekurve janë relativisht të ulta, njerëzit përshëndeten në distancë. Në Japoni, Korenë e Jugut, njerëzit përshëndesin duke u përulur, dhe shumë më përpara se të shfaqej virusi ata vendosnin maskë kur nuk ndiheshin mirë.

Në vendet perëndimore kultura për t’i mbajtur në shtëpi të moshuarit, ka bërë që shtëpitë e të moshuarve të kenë pak njerëz dhe virusi të mos ketë përhapje të madhe, në ndryshim nga disa vende ku pikërisht shtëpitë e të moshuarve u kthyen në burim infektimi.

Kushtet demografike dhe politike

Vendet të cilat janë të izoluara për shkak të distancës, për shkak të situatës politike, si Venezuela, ose për shkak të konflikteve si Siria, Libia, Libani, dhe Iraku janë prekur më pak nga virusi. Gjithashtu, mungesa e transportit publik në disa vende të zhvilluara ka ndikuar në ulje e përhapjes së virusit.

Kushtet klimaterike, ngrohtësia dhe rrezet ultraviolet

Shkencëtarët thonë se Covid-19 nuk ndikohet nga ngrohtësia apo nga nxehtësia. Virusi ka prekur në të njëjtën kohë dhe njësoj si vendet e ftohta, SHBA-të dhe Italinë, ashtu edhe vendet e ngrohta si Brazili.

Por, shkencëtarët thonë se kur ngrohen temperaturat njerëzit kalojnë më shumë kohë jashtë, duke ndihmuar në qarkullimin e ajrit dhe si rrjedhojë duke ndikuar në uljen e rasteve.

Në dimër, njerëzit shpenzojnë më shumë kohë brenda duke bërë që virusi të riqarkullojë brenda ambientit, duke rritur shanset për infektim.

Një studim i Universitetit të Konektikat ka gjetur se rrezet ultraviolet të dritës së diellit ndalojnë rritjen e koronavirusit. Sipas studimit sipërfaqet e vendeve të ekspozuara nga dielli janë më pak të infektueshme, por përhapja zakonisht ndodh nga kontakti me një person të sëmurë, jo duke prekur sipërfaqen.

Mbyllje e shpejtë dhe ashpër e vendit

Vendet të cilat u mbyllën shpejt si Vietnami dhe Greqia kanë qenë në gjendje të kontrollojnë përhapjen, provat tregojnë se distancimi social i ashpër dhe karantina e kanë përmbajtur virusin.

Kjo gjë ka ndodhur kryesisht në vendet e varfra dhe me sistem shëndetësor të dobët, të cilat e kanë kuptuar që duhet të mbështeten tek forcat e tyre për t’i bërë ballë virusit.

Por po aq sa efektive është mbyllja dhe karantinimi për shëndetin publik aq e dëmshme është ajo për ato vende që pjesa më e madhe e njerëzve punojnë në të zezë, mbyllja e bizneseve dhe mbajtja e njerëzve brenda nuk do të zgjas për shumë kohë, sepse njerëzit ndërmjet distancimit social dhe ushqimit për familjet e tyre, do të zgjedhin këtë të fundit.

Faktorë të rastësishëm

Shumë ekspertë bien dakord se nuk ka një faktorë të vetëm që ndikon në përhapjen e virusi në një vend dhe jo në një tjetër. Përgjigjja ka shumë gjasa të jetë një ndërthurje e të gjithë faktorëve të mësipërm, si dhe sikurse përmendin kërkuesit: rastësia.

Vendet me të njëjtën kulturë dhe klimë mund të kenë rezultate shumë të ndryshme nëse ndodh që një person i infektuar të jetë i pranishëm në një aktivitet me shumë njerëz, duke e kthyer aktivitetin në një bombë infeksioni.

Baby Boo