Pronari i restorantit ku ndodhi shpërthimi në gjendje të rëndë, kjo është gjendja e të lënduarve tjerë

6 persona të lënduar rëndë nga shpërthimi i bombolës së gazit në një restorant në Ferizaj po vazhdojnë të trajtohen jashtë vendit. Gjendja e disa prej tyre vazhdon të jetë rëndë. Për shkak të shpërthimit të një bombole të gazit në restorantin “Steak House” në Ferizaj, mbi 40 persona kanë mbetur të lënduar.

6 persona kanë pësuar më shumë se 30 për qind djegie, andaj edhe janë dërguar për trajtim shëndetësorë jashtë vendit. 4 persona janë dërguar më 7 janar për trajtim në Turqi, ndërsa 2 janë dërguar ditën e djeshme në Austri.

I pari që u dërgua në Turqi ishte vetë pronari i restorantit, G.S, i cili kishte pësuar 50 për qind djegie, dhe ishte në gjendjen më të rëndë shëndetësore. Megjithatë, ai ende nuk ka pasur ndonjë përmirësim, përkundër që u dërgua në Turqi. Afërdita Hoxha, e cila ka mbledhur fonde për t’i ndihmuar të lënduarit financiarisht për trajtim jashtë vendit dhe është në kontakt me familjarët e të lënduarve, ka thënë për Express se G.S vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ajo ka thënë se ai nuk ka pasur përmirësime. “Gjendja e tij po vazhdon të jetë e rënduar. Ai nuk ka përmirësime”, ka thënë ajo. Ndërsa, Hoxha ka treguar se vajzës 20 vjeçare, e cila është dërguar për trajtim shëndetësorë në Turqi për shkak të lëndimeve që ka marrë, i janë shfaqur probleme në veshka. Kurse, 44 vjeçari, F.S është në gjendje stabile, por që po mbahet në gjumë për shkak të plagëve që ka. “F.S është në gjendje vitale stabile, po e mbajnë në gjumë për shkak të plagëve të thella. Ndërsa vajzës iu janë paraqitur probleme me veshkë”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, E.B, i cili po ashtu po trajtohet në Turqi, është zgjuar dhe është larguar nga intubimi sot. Ai po ashtu ka takuar bashkëshorten e tij dhe ka mundur të bisedoj me të. Ndërsa, dy personat tjerë të lënduar të cilët janë dërguar dje për trajtim në Austri, nuk dihet se si e kanë gjendjen shëndetësore. Gjatë trajtimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ishte thënë se gjendja e tyre është pak më e lehtë se e pacientëve tjerë që janë dërguar në Turqi.

Nga mjekimi intensiv në QKUK, ishte thënë për Express se 6 të lënduarit kishin pësuar më shumë se 30 për qind djegie. Ndërsa, në gjendjen më të rënduar kishte qenë vetë pronari i restorantit G.S i cili kishte pësuar 50 për qind djegie, andaj edhe urgjentisht kërkohej që ai të dërgohej jashtë vendit për shërim.

Kurse, ndonëse nga mjekimi intensiv kishin kërkuar që të 6 pacientët të dërgoheshin për trajtim në Turqi, nga ky shtet kishin thënë se kanë vend vetëm për 4 pacientë. Andaj dy pacientët tjerë, përkundër gjendjes së rënduar shëndetësore ishin ndalur për trajtim në QKUK. Ndërsa, ditën e djeshme ata janë nisur për trajtim shëndetësorë në Turqi