Prokuroria kërkon paraburgim për burrin nga Shkupi që dhunoi rëndë partneren dhe dy fëmijët e saj
Prokuroria kërkon masë paraburgimi për 24-vjeçarin nga fshati Radushë, i cili dhunoi rëndë partneren e tij jashtëmartesore dhe dy fëmijët e saj të mitur.
Më herët, MPB informoi se një grua 39-vjeçare dhe dy fëmijët e saj u hodhën nga një automjet në Aerodrom, të cilin e drejtonte partneri i saj jashtëmartesor, F.F. (24).
Prokuroria ka zbuluar detaje tronditëse për rastin. Ata kanë nisur një hetim ndaj të dyshuarit për dy vepra penale të vazhduara të “Lëndimit të rëndë trupor” dhe një vepër tjetër të ngjashme, sipas Kodit Penal.
Sipas hetimeve, nga data 4 deri më 7 mars, në shtëpinë e tyre në Vizbeg, 24-vjeçari në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë familjare ndaj gruas dhe dy fëmijëve të saj, duke i goditur me grushte, shqelma dhe mjete të forta.
Gruaja ka pësuar fraktura të shumta, ndërsa fëmijët, të moshës 10 dhe 4 vjeç, kanë pësuar lëndime të rënda, përfshirë dëmtime në mëlçi, fraktura të kafkës dhe mungesë dhëmbësh nga goditjet. Fëmija më i vogël ka pësuar hematomë në mëlçi dhe dëmtime të mushkërisë, ndërsa fëmija më i madh ka fraktura të rënda të kafkës që rrezikojnë jetën.
Sipas Prokurorisë, dhuna është ushtruar me qëllimin që gruaja dhe fëmijët të dorëzonin tek ai paratë e fituara nga lypja.
Prokuroria ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin, ndërsa hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e një kualifikimi edhe më të rëndë ligjor për veprën e kryer.