Procesi i Berlinit bashkëpunimi ndërballkanik në rrugën drejt BE-së


Procesi i Berlinit është një iniciativë që mbështet bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor duke plotësuar kësisoj politikën e zgjerimit të Bashkimit Europian. Procesi i Berlinit u iniciua nga Gjermania me samitin e vitit 2014 në Berlin. Samitet pasuese u zhvilluan në Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017) dhe Londër (2018). Samiti i këtij viti i Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Poznan në datat 3-5 korrik.

Në Procesin e Berlinit marrin pjesë gjashtë partnerë nga Ballkani Perëndimor, që janë tashmë kandidatë (Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria) si dhe kandidatë potencialë (Bosnjë-Hercegovina, Kosova) për anëtarësim në BE dhe të përfshira në politikën e zgjerimit të BE-së. Në këtë proces marrin pjesë gjithashtu disa vende anëtare të BE-së si Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia, Britania e Madhe dhe Italia.

Në punimet e Procesit të Berlinit janë të angazhuara gjithashtu Komisioni Europian, institucione financiare ndërkombëtare, organizata ndërkombëtare dhe rajonale. Polonia iu bashkëngjit procesit në vitin 2018 me ftesë të kancelares Angela Merkel dhe mori pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër. Shpirti i Procesit të Berlinit është ekonomia.

Bashkëpunimi në këtë kuadër i shërben, veç të tjerash, realizimit të projekteve infrastrukturore (veçanërisht në lëmin e energjisë dhe transportit – të tilla si zgjerimi i porteve, ripërtëritja e linjave hekurudhore, apo ndërtimi i interkonjeksioneve të gazit) të përfshira në të ashtuquajturën Cennectivity Agenda.

Në Samitin e Triestes kryeministrat e Ballkanit Perëndimor miratuan planin shumëvjeçar të veprimit për krijimin e Zonës Rajonale Ekonomike. Qëllimi i saj është rritja graduale e qarkullimit të lirë të mallrave, shërbimeve, investimeve dhe krahut të punës në rajon. Në proces janë të angazhuara edhe organizata jofitimprurëse, përfshirë edhe ato që merren me problemet rinore.

Shoqëria civile merr pjesë në takimet e organizuara në kontekstin e Samiteve. Një nga arritjet më të spikatura të Procesit të Berlinit është krijimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor – RYCO.

Aktualisht Procesin e Berlinit e kryeson Polonia, e cila ka hartuar një program mbështetur në katër shtylla:

Ekonomia
Lidhjet e ndërsjella
Dimensioni qytetar, që përfshin shoqërinë civile, think tank-et, rininë, shkencën, kulturën
Siguria
Samiti i Ballkanit Perëndimor Poznan 2019 do të mbahet në mjediset e Panaireve Ndërkombëtare të Poznanit.

Pika kulmore do të jetë takimi i liderëve (kryetarëve të shteteve dhe qeverive) më 5 korrik. Një ditë më herët do të takohen ministrat e Ekonomisë, ministrat e Punëve të Brendshme dhe atyre të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në proces.

Në kuadër të Samitit do të ketë edhe ngjarje të tjera – në datën 3 korrik do të mbahet Forumi i Think Tank, kurse në 4 korrik Forumi i Biznesit BE-Ballkani Perëndimor si dhe Forumi i Shoqërisë Civile. Përgatitjet e eventeve të veçanta në kuadër të samitit, Polonia po i përmbush në bashkëpunim të ngushtë veç të tjerash me Komisionin Europian, OECD, Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit (RCC), RYCO dhe dhomat e tregtisë të vendeve të rajonit.

Kryesimi i Procesit të Berlinit nuk është vetëm Samiti i Poznanit – por një vit i tërë aktivitetesh që ngërthen ngjarje si në nivel ministrash, ashtu edhe në nivel ekspertësh.

Kështu në datat 11-12 prill në Varshavë u takuan ministrat e Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit. Ndër temat kryesore të diskutimeve ishin gjendja e rinisë në rajon dhe çështjet e hapura bilaterale. Në datat 4-6 qershor në Rezow u mbajt Forumi i Qyteteve dhe Rajoneve, organizuar nga Ministria e Investimeve dhe Zhvillimit. Në kontekstin e dimensionit qytetar, në datat 13-14 maj në Shkup u mbajt edhe një takim ekspertize i Think Tank me temë “Forcimi i integrimit europian të Ballkanit Perëndimor”.

Baby Boo