Pritet vendimi i Këshillit të BE-së për fillim të negociatave për Maqedoninë


Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Përgjithshme në Luksenburg duhet të sjellë vendim pas rekomandimit të Komisionit Evropian për fillim të negociatave për Maqedoninë dhe Shqipërinë, transmeton Portalb.mk.

Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme të BE-së, Federika Mogerini, dje, një ditë para takimi të ministrave të BE-së përsëri i ftoi liderët e vendeve anëtare që ta shpërblejnë Maqedoninë duke përmendur progresin që ka bërë si shtet si dhe ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë.

“E dini se kemi rekomanduar hapje të negociatave me Shkupin dhe Tiranën, ky proces bazohet në merita, që do të thotë se kur ka avancim ai patjetër duhet të njihet, të inkurajohet dhe mbështetet. Shpresoj se vendet anëtare do ta sjellin vendimin e duhur”, ta Mogerini.

Shefja e diplomacisë bullgare, Ekaterina Zaharieva deklaroi se pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë, Këshilli duhet t’i jep dritë jeshile Maqedonisë për fillim të negociatave, ajo theksoi se shumë shtete e përkrahin Maqedoninë, por shtoi se ekzistojnë ende punë për t’i bind shtetet që janë skeptike.

“Në mbledhjen e Këshillit do të debatohet për temën e zgjerimit. Nëse Këshilli jep dritë të gjelbër, zgjidhja mund të konfirmohet në mbledhjen e Këshillit Evropian”, tha Zaharieva në një intervistë për televizionin bullgar Nova TV.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias në intervistë për EURACTIV.com tha se BE duhet ta plotësojë premtimin e saj në lidhje me fillimin e negociatave me, siç tha, Republikën e ;Maqedonisë së Veriut.

“Sipas mendimit tonë, prej momentit kur Komisioni Evropian vendosi këtë verë si horizont për fillim të negociatave formale me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë, duhet ta përmbush premtimin, tha ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias, në intervistë për EURACTIV.com.

Në të njëjtën linjë qëndron edhe shefja e diplomacisë austriake, Karin Knajsl, e cila dje duke u përgjigjur në pyetjen gazetareske për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë tha se këto vendet i plotësojnë kushtet për negociata dhe se tani më është në pikëpyetje besueshmëria e BE-së. Ajo në deklaratën e saj e përdori emrin “Maqedonia e Veriut”.

Pritje pozitive dje shprehen edhe kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov.

I njëjtit qëndrimi është edhe eurokomisari për Zgjerim, Johanes Han i cili thotë se Maqedonia duhet të shpërblehet prej BE-së për progresin dhe për marrëveshjen me Greqinë me të cilën i jepet fund kontestit 27-vjeçar për emrin. Nëse nuk merr shpërblim në mënyrë konkrete, atëherë do të ketë efekt negativ të madh për gjithë rajonin.

Baby Boo