Pritet tjetër takimi te Presidenti mes Zaevit dhe Mickoskit, ende nuk ka datë të zgjedhjeve


Sot pritet një takim i ri ndërmjet liderit të LSDM-së, Zoran Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit, si një vazhdimësi e takimit të djeshëm që u zhvillua në presidencë me ftesë të Presidentit Stevo Pendarovski, takim i cili rezultoi pa marrëveshje që përcakton datën e mbajtjes së zgjedhjeve, përcjell Gazeta Express nga Portalb.

“Nuk arritëm marrëveshje, por kemi lënë mundësi që gjatë ditës së nesërme, nëse duhet të dëgjohemi. Nuk do të japim komente shtesë në pjesën e deklaratave, as të japim përgjigje në pyetje. Është qëndrim i harmonizuar me presidentin e shtetit Pendarovski dhe me Mickoskin”, deklaroi dje Zaev pas takimit, duke sqaruar se epilogu i takimit do të paraqitet në komunikatën e presidencës.

Presidenca në komunikatë dje sqaroi se janë diskutuar çështje të ndryshme rreth procesit zgjedhor, por akoma nuk është caktuar data për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Në takim u diskutuan edhe aspektet e ndryshme për procesin zgjedhor, gjatë së cilës të dy palët ofruan argumente në favor të pozicioneve të tyre. Në takim nuk u arrit marrëveshje për përcaktimin e datës për zgjedhjet e parakohshme”, njoftuan dje nga presidenca, duke sqaruar se liderët janë pajtuar për vazhdimin e dialogut.

Ndryshe, Presidenti Stevo Pendarovski dje vlerësoi se nuk ka nevojë për gjendje të re të jashtëzakonshme në vend. Në lidhje me çështjen e zgjedhjeve, ai i ftoi kryetarët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski që të takohen për të caktuar datë.

“Nëse nuk merremi vesh për datë të përbashkët, për zgjedhje gjithëpërfshirëse, ajo do të shkaktojë hyrje në krizë të thellë politike. Dëshiroj të dërgoj thirrje publike deri te dy liderët e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, të ulemi që sot dhe të gjejmë zgjidhje. Nëse nuk merremi vesh, do ta hapin derën për një krizë edhe më të madhe, me të cilën do t’i varrosim përpjekjet tona për t’i dhënë fund kësaj krize”, tha Pendarovski, duke shtuar që me liderët tjerë kontakton çdo ditë dhe të njëjtët kanë qëndrim për datën e zgjedhjeve.

Pasi të mbarojë periudha e gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të vazhdojnë veprimet zgjedhore, kështu që sipas parashikimeve votimi duhet të mbahet 22 ditë pas prej ditës së shtunë.

Ky është takimi i tretë, pasi liderët partiak kanë zhvilluar dy takime te presidenti, Stevo Pendarovski, më 12 dhe 18 maj,në përpjekje për të caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, megjithatë kanë dështuar në arritjen e një marrëveshje për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit.

Baby Boo