Prishtinë, ja sa vite burg u dënua Skender Krasniqi për vrasjen e djalit të tij Albert Krasniqi


Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me burgim prej 3 vite e 5 muaj të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Skender Krasniqit, për vrasjen e djalit të tij nga pakujdesia, tani të ndjerit Albert Krasniqi, më 27 janar të vitit të kaluar.

Sipas vendimit, pasi shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës, vlerësimit të pretendimeve ankimore dhe analizimit të aktgjykimit të ankimuar në kuptim të nenit 394, paragrafit 1 të KPPRK-së, Gjykata e Apelit gjeti se ankesa e mbrojtësit nuk është e bazuar.

Sipas Apelit, aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se i njëjti është përpiluar sipas ligjit dhe nuk përmban kurrfarë të metash.

“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i qartë, i kuptueshëm dhe nuk është kundërthënës me vetveten e as me arsyetimin e te njëjtit”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë.

Tutje, aty thuhet se nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrojtësit për shkelje të ligjit penal, pasi që gjykata e shkallës së parë nuk e ka shkelur ligjin penal në dëm të Skender Krasniqit, për faktin se kjo vepër për të cilën është akuzuar dhe shpallur fajtor ai është vepër penale dhe se nga vlerësimi i shkresave të lëndës, nuk janë konstatuar rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale të tij dhe rrethanat që e pengojnë ndjekjen penale.

“Kolegji penal i Gjykatës së Apelit vlerëson se dënimi i shqiptuar të akuzuarit nga ana e gjykatës së shkallës së parë është dënim i drejtë, i ligjshëm, në harmoni me peshën e veprës penale, me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të kësaj vepre penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale dhe se kolegji penal i kësaj gjykate vlerëson se me dënimin i shqiptuar do të arrihet qëllimi i dënimit”, thuhet në vendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, aktakuza ndaj Skender Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në tetor të vitit 2021, për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia” nga neni 175 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së).

Aty është bërë e ditur se Skender Krasniqi, më 27 janar 2021, rreth orës 17:00, nga pakujdesia ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin Albert Krasniqi.

Sipas aktit akuzues, kur tani i ndjeri ia ka lëshuar në dorë babait të tij revolen e tipit “TT M57” për ta shikuar, për të cilën thuhet se ka dashur që ta blejë, revolja ka shkrepur në duart e Skender Krasniqit në drejtim të djalit të tij, duke e qëlluar në gjoks, pas çka i njëjti ka mbetur i vdekur ne vendin e ngjarjes.

Baby Boo