Presidenti i Pakistanit miraton shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare


Presidenti i Pakistanit Arif Alvi miratoi shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare të vendit, raportuan mediat lokale.Ministri i Shtetit për Informacionin Farrukh Habib tha në Twitter se sipas kushtetutës së vendit, zgjedhjet e reja do të mbahen brenda 90 ditëve nga shpërndarja e asamblesë.

Më herët, në një hap të papritur, kryeministri pakistanez Imran Khan tha se i ka dërguar këshillë presidentit që të shpërndajë parlamentin e vendit dhe të shpallë zgjedhje të reja. Ky njoftim erdhi disa minuta pasi nënkryetari i parlamentit “rrefuzoi” mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit, duke e cilësuar atë “jokushtetues”.

Opozita e kombinuar, e udhëhequr nga Partia Popullore e Pakistanit (PPP) dhe Lidhja Muslimane e Pakistanit-Nawaz (PML-N), kishte paraqitur mocionin e mosbesimit kundër Khan-it më 8 mars, duke pretenduar se kryeministri ka humbur besimin e shumicës së ligjvënësve.

“Unë e përgëzoj gjithë kombin për këtë fitore. Nënkryetari ka hedhur poshtë mocionin e mosbesimit të opozitës kundër qeverisë, e cila ishte me urdhër të fuqisë së huaj”, tha Khan në një fjalim të shkurtër drejtuar kombit.
“I kam dërguar këshillë presidentit që të shpërndajë kuvendet dhe të shpallë zgjedhje të reja”, tha ai.
“Le të vendosë populli se kë do në pushtet. Nuk i takon fuqisë së huaj ta vendosë këtë”. shtoi ai.

Megjithatë, është ende e paqartë nëse vetëm dhoma e ulët e parlamentit – Asambleja Kombëtare – do të shpërndahet, ose katër asambletë provinciale do të kenë të njëjtin fat. Më herët, nënkryetari Qasim Suri, deklaroi se mocioni i opozitës është “në kundërshtim me kushtetutën” pasi një “fuqi e huaj” qëndron pas kësaj lëvizjeje. Prandaj, tha më tej ai, votimi për mocionin e mosbesimit të planifikuar për të dielën, nuk mund të mbahet.

Zhvillimi erdhi disa minuta pasi filloi seanca me tensione të larta në Asamblenë Kombëtare në kryeqytetin Islamabad, e cila më parë ishte planifikuar të zhvillonte votimin e mocionit.
Sapo filloi seanca, ministri i Informacionit Fawad Chaudhry, i cili gjithashtu mban një portofol shtesë të ministrit të ligjit, u ngrit në vendin e tij dhe kërkoi vendimin e nënkryetarit mbi “autenticitetin kushtetues” të mocionit të mosbesimit të opozitës.

Duke pranuar pretendimin e Chaudhry-t, Suri “refuzoi” mocionin duke e cilësuar atë kundër rregullave dhe rregulloreve të kuvendit dhe kushtetutës.Duke e cilësuar veprimin e kryeministrit “jokushtetues”, kreu i opozitës Shehbaz Sharif tha se si Khan, ashtu edhe nënkryetari do të gjykohen për “tradhti të lartë”. Të dy, sipas tij, kanë vepruar kundër kushtetutës. Ai tha se opozita do t’i drejtohet Gjykatës së Lartë kundër aktit “jokushtetues” të Khan-it./Anadolu Agency/

Baby Boo