Policia e Kosovës mohon se ka përgjuar familjarët e anëtarëve të Grupit të Kumanovës


Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me raportimet e sotme se kanë qenë në përgjim nga AKI dhe policia, familjarët e anëtarëve të Grupit të Kumanovës.

“Policia e Kosovës në asnjë rast të vetëm nuk bën përgjime ndaj askujt, pa poseduar urdhëresë të organeve të drejtësisë”.

“Ndërsa për hir të sqarimit dhe demantimit të këtij shkrimi jo të drejtë, njoftojmë se nuk është ndërmarr asnjë aktivitet, veprim, masë, apo kryerje e asnjë përgjimi i personave apo familjarëve në rastin e ashtuquajtur të grupit Kumanova”, thuhet në kumtesën e policisë”, thuhet në kumtesë.

“Sigurojmë opinionin e gjerë se përgjimi i telekomunikimeve realizohet vetëm në pajtim me legjislacionin në fuqi, të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe Ligjit për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike si dhe gjithherë bazuar në urdhra të ligjshëm të Gjykatës kompetente”.

“Angazhimi dhe përkushtimi i institucioneve të sigurisë së RKS-së do të vazhdojë të jetë besimi i qytetarëve ndaj tyre, dhe në asnjë rrethanë pretendimet si këto nuk do të zbehin imazhin dhe përkushtimin e madh institucional për t’i shërbyer vendit”.

Policia e Kosovës thotë se në bashkërendim me institucionet tjera të sigurisë në Republikën e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve ligjore dhe kushtetuese.

“Prandaj konsiderojmë se opinioni publik duhet të informohet drejtë dhe korrekt, dhe në asnjë rast të vetëm të mos bie pre e dezinformatave të ndryshme”.

Reagimi erdhi pasi, Muhamet Krasniqi, i njohur si Komandant Malisheva, i dënuar me burg në Maqedoni, për pjesëmarrje në rastin e Kumanovës, ka shkruar një letër publike, të cilën thotë se ua adreson mediave, e përmes të cilës ka thënë se AKI dhe Policia e Kosovës po i përgjojnë familjarët e tyre.

Baby Boo